Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi ka thënë se mos takimi me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci është bërë se këta të fundit i kanë injoruar qytetarët e Luginës.
Arifi për Telegrafin ka theksuar se arsye tjetër e mos takimit është se nuk dëshiron, siç e ka quajtur ai, t’i nënshtrohet politikave të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Nuk do të takohem me ta, për shkak se e kanë injoruar Komunën e Preshevës dhe çdo shqiptarë në Luginë”, tha Arifi.
“Arsyeja tjetër është që këto janë politikat e VV-së, sepse unë nuk i nënshtrohem atyre dhe kritikat të cilët i jap në kuadër të politikave të saja në dialog i shoh të mangët në koncept dhe në përfshirje të shqiptarëve në zgjidhje”, shtoi ai.
Në fund, Arifi thotë se Qeveria e Kosovës ende nuk i ka dorëzuar 2 milionë eurot e premtuara për Luginën.
“Gjithashtu ende nuk i kanë dërguar 2 milionë euro”, përfundon Arifi.
Aktualisht Bislimi dhe Nagavci janë duke zhvilluar takime me përfaqësuesit shqiptarë të Luginës së Preshevës. /Telegrafi/