Kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, sa i përket çështjes së skadimit të mandatit të kryetarëve të komunave tha se Maqedonia asnjëherë nuk është përballur me një situatë të këtillë, ndërsa sa i përket çështjes se kush do ta menaxhojë komunën nga dita e nesërme, Arifi për TV21 tha se do presin se çfarë do të vendoset në Bashkësinë e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale.
“Ajo është një situatë e re të cilën ne do ta shohim se si do të zhvillohet po qytetarët sigurisht që do të mund të drejtohen në Komunë, por me ngushtimet ligjore që do t’i kemi dhe do të shohim se si do t’i tejkalojmë bashkërisht. Partitë politike, urgjentisht duhet të mblidhen dhe të caktojnë datën e zgjedhjeve. Një datë për zgjedhje duhet të ketë. A do të jetë në qershor, a do të jetë në korrik apo në shtator, nuk ka rëndësi por nuk mundemi që të mbesim a datë për zgjedhje”, tha Arifi.
Ata që më së shumti e ndjejnë këtë ngërç, janë qytetarët të cilët nuk do të mund t’i kryejnë punët e tyre.
Edhe nga komuna e Tetovës janë në pritje të vendimit se a do të ndodhë zgjatja e mandatit të krerëve aktual dhe se çfarë do të bëhet me zgjedhjet e reja lokale.