Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), apelon tek partitë politike që të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e ngërçit politik. Kjo për arsye se situata aktuale, jo vetëm që po ka refleksione negative në zhvillimin ekonomik të vendit, por ,sipas kreut të BSPK-së, Haxhi Arifi po e dëmton skajshmërish edhe punëtorin e Kosovës.
Partitë politike duhet ta vendosin në rend të parë shtetin, jo pushtetin, ta vendosin në vend të parë popullin e Kosovës që i financon dhe i voton. Kreu i BSPK-ës, Haxhi Arifi , potencoi se BSPK-ja është institucion I pavarur dhe nuk dëshiron të ndërhyj në çështje politike, por kërkon zgjidhje të ngërçit.
“Sepse në fund, sigurisht, jam I bindur, ndërkombëtarët do të na drejtohen edhe neve, sikur në shtetet tjera, si në Francë shembull, kur i kanë shtjerë të gjitha bisedat dhe s’ka pas lëvizje ,ju kanë drejtuar sindikatave dhe faktikisht sindikatat kanë bërë një gjë të mirë që ata i kanë dëgjuar dhe e kanë tejkaluar krizën”, tha Arifi.
Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Arifi ka folur edhe për grevat e paralajmëruar ditëve të fundit, atë të zjarrfikësve dhe grevën e punëtorëve të KEDS-it, duke bërë dallime. Ai u jep mbështetje të fortë zjarrfikësve duke thënë se kërkesat e tyre janë në përputhje me ligjet vendore dhe konventat ndërkombëtare.
“Nëse rrezikohet jeta e personit aty që punon, atëherë të tjerët çka kërkojnë prej neve? Nuk duhet as ata të kërkojnë që ne të shpëtojmë dikën e vet të vdesim. Në këtë mënyrë, papërgjegjësitë e institucioneve ndaj zjarrfikësve duhet njëherë e përgjithmonë të stopohen”.
Ndërsa, duke folur për kërkesat e punëtorëve të KEDS-it, Arifi ka thënë se bëhet fjalë për një kompani private që ka marrëveshje dhe obligime ndaj punëtorëve. Këta punëdhënës, që Arifi i quan të padisiplinuar, nuk ndjejnë obligim të respektojnë ligjet e Kosovës. Me këta punëdhënës i është dhënë shumë hapësirë dialogut, tha Arifi dhe nëse nuk dëshirojnë të respektojnë ligjet e Kosovës, le të largohen nga Kosova. /Telegrafi/