Ish-kryetari i Preshevës, njëherit drejtuesi i “Alternativa Demokratike Shqiptare”, Shqiprim Arifi ka thënë se shqiptarët gjithmonë kanë treguar edukatë demokratike.
“Sot erdhëm me votu në mënyrë që të japim shembullin e mirë për një edukatë demokratike që shqiptarët gjithandej trojeve tona e kanë dëshmuar me vite, dhe duhet ta dëshmojnë edhe sot sidomos ne preshevarët”, u shpreh Arifi pasi ushtroi të drejtën e tij të votës.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të dalin të votojnë, siç tha i për t’i dhënë mesazhin Serbisë që pavarësisht diskriminimit ne dalim dhe votojmë.
“Të japim një mesazh kundrejt Beogradit e Serbisë që edhe pse na diskriminoni, edhe pse na keni shkelur që 20 vite dhe edhe pse na keni pasivizuar ne dalim dhe votojmë dhe tregojmë artin e luftës ndaj kësaj dukurie. I ftoj të gjithë qytetarët që të dalin dhe të tregojnë edukatën demokratike. I kemi dy lista shqiptare për herë të parë”, tha Arifi.
Ish-kryetari i Preshevës pati kritika edhe për Qeveritë e Kosovës, ku tha se i kanë lënë në mëshirën e fatit.
“Janë 6 mijë deri në 10 mijë qytetarë që nuk kanë mundësi që sot të votojnë. Ne e shohim një politikë portativë të Qeverisë së Serbisë për të ruajtur fuqinë e tyre, por e shohim edhe një neglizhencë të qeverive kosovare që po na lënë në mëshirën dhe mundësitë e tona, e kjo është fatkeqësi”, tha Arifi. /Telegrafi/