Ish-kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka kujtuar vendosjen e lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Arifi ka thënë se lapidari nuk pati fatin të qëndrojë gjatë aty ku e kishte vendim për shkak se ata që e vendosën me krenari, lejuan të hiqet kokë ulur.
“Sot, kujtojmë që u bënë 9 vite nga vendosja e Lapidarit të UÇPMB-së, i cili në përmbajtje të tij kishte të gdhendur emrat e lavdishëm të luftëtarëve dëshmor, që sot u mungojnë familjarëve e tërë Preshevës, e që i dha lavdi qendrës së qytetit si monument i rëndësishëm i historisë së kësaj cope Lugine”, tha Arifi.
Më tej theksoi se tani në mungesë të tij, emrat e luftëtarëve mbahen vetëm në arkiva dhe në “zemrat tona”.
“Fatkeqësisht, lapidari nuk pati fatin të jetë për gjatë në mesin tonë. Ata që e vendosën me krenari, lejuan të hiqet kokë ulur dhe në fund e shpërblyen regjimin që e hoqi me një mirënjohje dhe sot gjendemi të gjunjëzuar vetëm duke e kujtuar dhe se emrat e luftëtarëve tanë mbahen vetëm në arkiva dhe në zemrat tona”, shkroi në fund.
Ndryshe, lapidari i UÇPMB-së ishte larguar nga ushtarët serbë gjatë vitit 2013.
Lapidari ishte larguar me një kamion i cili shoqërohet nga ushtarët serbë si dhe një tanke ushtarake e cila ishte e pranishme gjatë kryerjes së aksionit./Telegafi/