Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi nuk pret ndonjë progres në dialogun Kosovë-Serbi edhe pas përfundimit të zgjedhjeve serbe.
Ai thotë se takimet e nivelit të lartë mund të ndodhin në Bruksel, por nuk do të ketë diçka konkrete.
Megjithatë deklaron se në rrethanat e reja gjeopolitike Kosova mund të ecë përpara nëse tregohet pragmatike dhe e zgjuar sepse Serbia pritet të ketë më shumë presion nga BE dhe ShBA.
Arifi thotë për KosovaPress se refuzimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë nuk do të ndikojë në dialogun Kosovë-Serbi.
“Takimi mund të ndodh për të treguar njëfarë mënyre se dialogu po vazhdon dhe të ketë një paqe kushtëzuese. Për shkak se takimet takojnë sinjale se vendet janë të interesuara të gjejnë zgjidhje paqësore. Pra takimi mund të ndodh, por rezultatet do të jenë më të mëvonshme, kjo varet edhe nga partnerët tanë ShBA dhe BE-ja.
Por nuk besoj se Kosova do të ketë ndonjë sanksion të madh për shkak se nuk i ka lejuar zgjedhjet të mbahen në territorin e Kosovës. Pasi në fund të ditës, Kosova është shumë e izoluar pikërisht nga BE-ja, por përgjithësia jonë në dialog mund të thyej bllokadën, apo izolimin që tash gjendemi”, thotë ai.
Profesori universitar thotë se Kosova duhet t’i bindë aleatët ndërkombëtarë se ofron alternativën më të mirë në kuadër të dialogut.
“Për momentin si janë gjërat në aspektin global, Kosova mund të ecë përpara nëse tregohet pragmatike dhe e zgjuar. Nëse ne tregohemi shumë të zhdërvjellë në këtë vorbull të diplomacisë besoj se mund të avancohemi shumë shpejtë. Por krejt kjo varet se çfarë qëndrimi ka Kosova dhe çfarë dëshiron Kosova nga dialogu. Nëse ne arrijmë t’i bindim BE-në dhe ShBA-në se kjo është alternativa jonë më e mirë për të gjitha komunitetet në Kosovë, atëherë besoj se mund të ecim tutje”, deklaron Arifi.
Duke komentuar rezultatin e zgjedhjeve në Serbi, Arifi thotë se ato dëshmuan se Serbia s’ka lëvizur sa i përket aspektit politik.
“Nga Serbia nuk pres fare ndryshim, por presioni kësaj radhe edhe për Serbinë do të jetë shumë më i madh se ka qenë herëve të tjera për shkak të situatës gjeopolitike dhe sigurisë në kontinentin e Evropës. Serbia nuk ka ndryshuar as në aspektin politik, kulturor dhe kushtetues, pra s’ka pasur ndonjë ndryshim thelbësor atje”, shton ai.
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, kritikon edhe diplomacinë kosovare për mungesë të strategjisë dhe fokusim më shumë tek shtetet e lindjes se perëndimit.
“Që kur Rusia ka bërë invazionin në Ukrainë, MPDJ është dashur të jetë më shumë në Bruksel, në Londër, Uashington dhe Paris, e jo në vendet e lindjes, pasi vendimmarrja është në perëndim dhe jo në lindje. E shoh një minus dhe mungesë të madhe të vizionit dhe strategjisë se si ne e perceptojmë politikën e jashtme dhe gjeopolitikën. Po vërehet se s’kanë ide dhe njohuri për atë se çka po ndodh në arenën ndërkombëtare”, thotë ai.
Takimi i fundit ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit, Aleksandër Vuçiq ka qenë në korrik të vitit të kaluar. Prej atëherë ka pasur disa takime në nivel kryenegociatorësh, mirëpo nuk ka pasur lëvizje pozitive drejt arritjes së ndonjë marrëveshjeje.