Nga fillimi i vitit e deri më sot në burgun e Idrizovës, janë zbuluar katër raste ku mbykëqirës të lartë të këtij institucioni ndëshkues kanë tentuar të fusin lëndë narkotike deri tek të burgosurit e varur nga këto substanca.
Prezencën e drogës dhe orvatjet për tu futur në këtë burg nuk e mohojnë nga drejtoria e burgut. Sipas zëvendësdrejtorit të burgut të Idrizovës Sadush Arifi keqpërdorimi i detyrës nga gardianët e burgut apo personave të tjerë të punësuar në këtë institucion është sanksionuar me largim nga puna.
Lidhur me këtë fenomen, zv.drejtori i burgut të Idrizovës, Sadush Arifi për gazetën Koha thotë se janë përjashtuar disa nënpunës, të cilët për interesa personale kanë shkelur rregulloren e burgut, respektivisht ato janë larguar nga puna pasi janë zënë duke futur në brendësinë e burgut lëndë narkotike, telefona celular apo kanë ndërmjetësuar për blerjen e vendeve si dhe mënyra tjera të keqpërdorimit të detyrave zyrtare.
“Ne i kemi ndërmarrë të gjitha masat për parandalimin e këtyre dukurive negative në aspekt institucional. Gjatë kohës sa jam unë në këtë pozitë janë larguar rreth 16 të punësuar, kryesisht gardian të burgut. Megjithatë për kapjen e lëndëve narkotike ne e kemi më rëndë të regjistrojmë raste edhe pse deri më sot ka pasur”, deklaroi për Koha, Sadush Arifi, zv.drejtor i burgut të Idrizovës. /Telegrafi/