Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ardian Arifaj, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Muhamet Hajrullahu, ka thënë se pas takimit të së hënës mund të caktohet mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Duke komentuar se a mund të ketë mandatar të dytë për krijimin e qeverisë në rast se Ramush Haradinaj nuk arrin t’i mbledh numrat e duhur, Arifaj theksoi se kjo është në diskrecionin e plotë të presidentit Hashim Thaçi.
“Është në diskrecionin e presidentit që të vendos se kujt do t’i japë mandatin herën e dytë për themelimin e qeverisë, nëse mandatari i parë nuk arrin t’i marrë votat e duhura”, u shpreh Arifaj.
Ai shtoi se duhet të ketë marrëdhënie të mira konstruktive në mes të gjitha subjekteve politike sidomos në çështje të rëndësishme për Kosovën, gjë që do të shmangte krizën dhe dhunën politike në Kosovë. /Telegrafi/