Trevor Brewer, 23-vjeç, ishte në autobusin transportues të “U.S. Air Force” në aeroportin e Frankfurtit kur Arid Uka më 2 mars qëlloi për vdekje dy ushtarë amerikanë, Nicholas J. Alden, 25-vjeç, nga Karolina jugore, dhe Zachary R. Cuddeback, 21-vjeç, nga Virgjinia.
“Kur shikova lartë, pistoleta e tij ishte në fytyrën time. Dëgjova fjalët Allah u Akbar dhe pistoleta bëri një ‘klik’”, ka thënë Brewer, transmeton Zëri.
Uka, 21-vjeç, përballet edhe me tri akuza për tentim vrasje, për plagosje të dy personave si dhe për marrje nishani ndaj Brewer, i cili mbijetoi vetëm se arma e Ukës ishte bllokuar.
I pyetur nga gjykatësi se si e përshkruan shprehjen e fytyrës së Ukës në atë ditë, Brewer u përgjigj: “Ai po shikonte të na vriste, kishte urrejtje në sytë e tij”.
Uka ka pranuar sulmin që në hapjen e seancës gjyqësore në muajin gusht, mirëpo, sipas ligjit gjerman, gjykata është e detyruar t’i dëgjojë të gjitha dëshmitë e rastit. Ai ka thënë se është pishman për veprimin e bërë. /Telegrafi/