Telegrafi

Arianit Islami emërohet drejtor i ri i Aviacionit Civil

Arianit Islami është emëruar zëvendësues i Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës shkarkoi të mërkurën Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të AAC-së.

Vendimi i emërimit është nënshkruar të hënën nga ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor e Infrastrukturës, Liburn Aliu.

Lexo po ashtu Qeveria shkarkon Bujar Ejupin nga pozita e drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil

Ndërkaq, i sapoemëruari në këtë pozitë deri në këtë vendim kishte shërbyer si Drejtor i Departamentit të Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Ndryshe, ditë më parë Qeveria e Kosovës mori vendim për shkarkimin e Bujar Ejupin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së.

Sindikata e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil kishin përshëndetur vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të shkarkimin e Bujar Ejupin nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të AAC-së.

Sipas një njoftimi për media SPAAC kishte deklaruar se vendimi vjen pas tre vjetësh me një numër të madh shkeljesh profesionale dhe keqmenaxhim të Bujar Ejupit të sinjalizuara nga Sindikata.

“Ne duam t’i falenderojmë përzemërsisht të gjitha ata që janë solidarizuar me ne gjatë kësaj kohe të vështirë dhe na kanë përkrahur drejtë këtij qëllimi. Vendimi vjen pas 3 viteve me një numër të madh shkeljesh profesionale dhe keqmenaxhim të Bujar Ejupit të sinjalizuara nga Sindikata jonë të cilat janë vulosur edhe nga trupa ndërkombëtare që kanë vërtetuar se nën udhëheqjen e tij, AAC-ja ishte bërë pothuajse jofunksionale”, thuhej në njoftimin e SPAAC. /Telegrafi/