Dashuria duhet të jetë e përditshme, por është një ditë kur kondensohen pritshmëritë. Katërmbëdhjetë shkurti i jep vulë dashurisë, që ajo të jetë, vërtetë e sinqertë dhe e shenjtë.
Nuk ka dilemë se rutina, nganjëherë ka monotoni, por ka një ilaç edhe për këtë: është dhurata për ditën e shënuar, ditën e Shën Valentinin, merr përmasat e një gjesti të madh. Sepse, edhe një fije e barit, kur e merr nga njeriu i zemrës, e ka vlerën e arit.
Se, a është kështu, mësoni nga intervista me çiftin Arianit Koci dhe Merita Harxhi-Koci.
A ju kujtohet koha kur jeni takuar për herë të parë dhe a mund të quhet kjo dashuri në katër sy?
Arianiti: Meritën e kam njohur prej shkollës së mesme. Ka qenë në klasë me djalin e tezës sime. Saktësisht nuk e di momentin kur jemi dashuruar, por ka gjasa që jemi pëlqyer në shikim të parë, dhe pastaj dashuria është zhvilluar. Mendoj që njeriu bie në kurthin e dashurisë, dhe nuk e kupton këtë deri sa të bëhet vonë.
Sa kohë zgjati ‘testimi’ juaj, deri në zyrtarizimin e lidhjes?
Arianiti: Jemi njohur dy apo tri vite, deri sa në fund e kemi zyrtarizuar lidhjen, siç po thuani ju. Normalisht, unë kam qenë ai që ka insistuar të takohemi dhe të dalim. Merita është e Pejës dhe shkollën e mesme e ka kryer në Prishtinë, ku edhe ka banuar afër shokut tim të ndjerë – Kastriot Kelmendit. Shumë shpesh gjatë vizitave te Kastrioti, e kam takuar Meritën. Përndryshe, kemi qenë në rrethin e njëjtë shoqëror.
Kur ia keni dhuruar përqafimin e parë njëri-tjetrit?
Arianiti: Më kujtohet si sot: ka qenë në kafenenë Galaxy. Sot në të njëjtin vend është poliklinika Galaxy, në Dardani.
Arianit, çka gjetët tek Merita që iu rrëmbeu të tërin?
Kur je i ri dhe i dashuruar, të pëlqen çdo gjë. Vet procesi dashurisë është mjaft kompleks dhe vështirë i shpjegueshëm. E mbaj në mend që në atë kohë, tërë ditën ishim bashkë.
Cilat kanë qenë pengesat eventuale që u është dashur t’i kapërceni për të qenë bashkë?
Merita: Nuk kemi pasur asnjë pengesë.
Kush e ndërmori hapin e parë për të propozuar martesën?
Arianiti: Gjatë viteve të 90-ta, kam jetuar vetëm në shtëpinë e babait. Familjarët ishin në Londër dhe Zagreb, prandaj bashkëjetesa ka ndodhur si një proces i natyrshëm. Ishim tërë ditën bashkë; i vijonim ligjëratat në fakultet edhe punonim. Ishin vite të vështira.
Sigurisht ceremonia e dasmës ishte dasmë në vete. A ju kujtohet momenti më pikant që nuk do ta harroni kurrë?
Arianiti: Në atë kohë nëna më ka vdekur, prandaj nuk kam bërë dasmë, në kuptimin e plotë të fjalës. Përndryshe, si kuriozitet është se jemi kurorëzuar disa ditë pa lindë djali i ynë – Arti, i cili në muajin maj, e kryen fakultetin.
Merita: Nuk kanë qenë rrethanat për ceremoni, prandaj e kemi bërë vetëm një drekë dhe miq të ngushtë.
Një burrë dhe një grua që të jenë bashkë, duhet të kenë tipare të njëjta apo besoni te teoria e të kundërtave që tërhiqen?
Arianiti: Nuk jemi të njëjtë: unë jam shumë dinamik dhe i gjallë; vazhdimisht duhet të bëjë diçka. Thuaja të gjitha iniciativat rrjedhin prej meje. Punoj shumë, shëtis shumë, dua shumë. Në anën tjetër, Merita është e qetë e urtë dhe stabile. Jemi të kundërt, por maksimalisht i jemi përshtatur njëri-tjetrit.
Merita: Karakteret i kemi të ndryshëm, prandaj edhe punët i kemi ndarë sipas dallimeve që i kemi. Arianiti i merr të gjitha iniciativat për shëtitje dhe punët jashtë shtëpisë. Ka shumë kujdes që çdo kërkesë e imja, të realizohet. Në anën tjetër, unë e kam projektuar dhe dizajnuar banesën dhe çdo gjë që kemi, duke u kujdesur edhe për veshjen e të gjithë familjes. Arianiti e ka instinktin dhe përvojën, prandaj për shumë sende, sa herë që nuk e kam dëgjuar, nuk kam kaluar mirë. Përndryshe, Arianiti as që tenton të ndërhyjë në punën rreth projektimit dhe dizajnimit. Sa i përket fëmijëve, unë më shumë merrem me ta, ndërsa Arianiti është më tolerant. Sa herë kanë pasur fëmijët kërkesa të mbesin më vonë në qytet, kanë biseduar me Arianitin.
Poetët i këndojnë himne dashurisë, madje, poeti i njohur, Visar Zhiti thotë se njeriu nuk bie në dashuri, por lartësohet në dashuri?
Arianiti: Është e vërtetë. Nuk ka ndjenjë më fisnike dhe më të mirë se dashuria. Kur njeriu është i dashuruar, çdo problem dhe sfidë në jetë e tejkalon pa problem.
A preferoni të jeni të dashuruar, apo t’ju dashurojnë?
Arianiti: I preferoj të dyja, edhe pse nuk mund të jetoj pa qenë i dashuruar.
A besoni se, ndërmjet shumë marrëzive që ndodhin në jetën e njeriut, dashuria është e vetmja që ka një dozë hyjnore, qiellore, dhe e vetmja, marrëzi që ia vlen?
Merita: Padyshim që dashuria është marrëzia që ia vlen. Madje, kjo është ndjenja më e mirë që mund t’i ndodh një personi.
Natyrisht është e pritshme se ndërmjet çifteve të ketë edhe ndonjë xixë të fërkimi dhe debati është i pashmangshëm, nganjëherë i nxehtë, apo të themi i ngrohtë. Për çka ‘haheni’ më shpesh?
Arianiti: Kur bashkëjeton 28 vjet me dikë, fërkimet janë të pashmangshme. Zakonisht, unë jam ai që e fillon “belanë”. Kryesisht për gjëra të parëndësishme – triviale. Por, shpejtë më kalon. Nuk mbajmë inate, as unë e as Merita. Jeta është e shkurtër që të mbajmë inate.
Merita: Gati çdo herë “fesatin” e fillon Arianiti. Është i vrullshëm, por i kthyeshëm. Nuk bën hile kurrë. Din edhe të kërkojë falje kur gabon. Në anën tjetër, karakteri i tij më jep siguri; çdo herë mund të llogaris në të. Nuk përton dhe çdo punë që e merr përsipër, e kryen.
Në diskutimet tuaja për një temë të caktuar, kush është ai që ofron argumente më të forta dhe a ia pranoni njëri-tjetrit?
Arianiti: Merita nuk shtyhet shumë me mua. Ka raste kur ajo ka argumente të forta, dhe unë i pranoj. Por, kryesisht jam unë ai që ka dëshirë me argumentuar dhe luftuar për ndonjë ide apo çështje. Si duket kjo është pjesë e karakterit tim, dhe energjisë së madhe që e kam.
Merita: Me Arianitin është e kotë të shtyhesh me fjalë. Gjithmonë fiton. Sidoqoftë, nëse ia argumentoj mirë ndonjë situatë, bindet.
Çiftet e suksesshme zakonisht e kanë njëfarë “xhelozie të fshehur” dhe normalisht kritikat janë pak të vështira për t’u “gëlltitur”. Kush është kritiku juaj më i madh?
Arianiti: Nuk e kritikojmë njëri-tjetrin. Këshillohemi në baza ditore. Nuk jemi vetëm bashkëshort, por edhe shokë dhe bashkudhëtar në jetë. Partnerin e respektoj deri në maksimum. Jam prej burrave të rrallë, që gjithkund e marr me vetë gruan. Madje edhe në udhëtime zyrtare. Funksionoj më mirë kur e kam Meriten afër. Kujdesem shumë dhe ia bëj qefin. Energjia imja e tepërt, e determinon një situatë ku Merita, kurrë nuk e ka bajat.
Merita: Është e vërtetë që kurrë nuk e kam bajat, por ndonjëherë më ndodh të lodhem. Nuk është lehtë me e përcjellë Arianitin. Gjithmonë duhet të bëjë diçka, apo të jetë në lëvizje.
Në rastin tuaj, xhelozinë, e konsideroni si një mënyrë e shprehjes së dashurisë, apo një metodë e ndjenjës së pronësisë?
Arianiti: Me Meritën jam një kohë të gjatë, dhe thjesht e kam fituar besimin. Përndryshe, xhelozia është pjesë e strukturës mentale të një personi dhe në shumë raste e kam parë që është krejtësisht e paarsyeshme.
Merita: Arianiti nuk është fare xheloz, dhe nuk ka arsye të jetë. Në anën tjetër unë, jam më xheloze se ai. Sidoqoftë, lidhja funksionon kështu si është. Nuk tentojmë që njëri- tjetrit t’ia ndërrojmë karakteret.
A ka momente ku jeni ndjerë keq, për gjërat që iu kanë ndodhur dhe a është pranuar kërkimfalja?
Arianiti: Kur gabon edhe duhet të kërkosh falje. Kam problem derisa të bindem se e kam gabim. Kur bindem, atëherë pa problem kërkoj falje.
Çka i bashkohen dhe çka i largon një çift me dy profesione diametralisht të kundërta.
Arianiti: Profesionet në harmoninë bashkëshortore, nuk ndikojnë fare. Kur ka mirëkuptim, për çdo situate gjendet zgjidhja. Përndryshe, edhe unë jam artist. Pos fakultetit juridik, e kam të kryer edhe fakultetin e arteve, dega e muzikës- piano.
Arianit, ju si avokat i njohur, a jeni detyruar ta mbroni veten nga Merita, hhhha?
Po. Merita gatuan shumë mirë. Në fakt, nuk e di që dikush gatuan më mirë. Kam rrezik që të shtoj peshë. Prandaj, kam nevojë që të mbroj vetën, prej ushqimeve të saj.
Por, edhe Merita, i ka meritat e veta, sidomos në shijen e saj të veshjes suaj ‘cool’.
Arianiti: Merita ka shumë shije. Ka talent të shumëfishtë në dizajn. Është dizajnere dhe stiliste, por ka dizajnuar edhe enterierë të shtëpive, banesave dhe restorante. Poashtu ka punuar edhe si skenografe. Përndryshe, ka magjistruar në pikturë dhe ka pasur ekspozita anembanë botës; prej Madridit deri në Moskë.
Merita: Sa herë kam udhëtuar në ekspozita, kam mbajtur gajlen fëmijëve. Por, Arianiti gjithmonë e ka gjetur mënyrën se si të kujdesët për ta, madje edhe t’i zbavit. Normalisht, rendin e ushqimit dhe fjetjes e ka humbur. Thjesht, çdo gjë që i kanë kërkuar fëmijët, ai ua ka plotësuar. I ka ushqyer me qebapë, pizza dhe ushqim të shpejtë. Fëmijët e duan atë ushqim, po nuk është i shëndetshëm. Normalisht, më pastaj më është dashur kohë që ta kthej rendin e fjetjes dhe ushqimit të fëmijët
Keni sjellë në jetë, deri tashti, dy fëmijë, të cilët kërkojnë përkushtim dhe kujdes prindëror. Si e keni caktuar ‘ndarjen e pushtetit’ në edukimin e tyre?
Arianiti: Derisa ishin fëmijët e vegjël, Merita është angazhuar më shumë rreth tyre. Madje 7 vite nuk ka punuar fare, në mënyrë që të jetë afër fëmijëve sa më shumë. Sakrificë e madhe është kjo për një grua të re.
Merita: Në kulm të karrierës, kam vendosur ta lë punën dhe ekspozitat. Tërësisht i jam kushtuar fëmijëve. Ata i kamë vetë 20 muaj dallim, dhe realisht është dukur thuajse po rris binjakët. Nuk jam pishman fare. Kjo është koha, kur fëmijët kanë nevojë më së shumti për nënën.
A e keni provokuar ndonjëherë njëri-tjetrin përmes ndonjë shakaje dhe si ka qenë reagimi?
Arianiti: Unë jam ai që kryesisht provokon, dhe Merita i përballon stoikisht “sulmet e mia”.
Cilat janë “pikat e dobëta” tuajat të cilat nuk i di Merita?
Të gjitha pikat e dobëta i din Merita. Jemi 30 vite bashkë.
Arianit, po të kesh mundësi (pa modesti) të lavdërosh vetën tënde, çka të pëlqen më shumë?
Krejt. Po mahitem. Ajo çka më pëlqen te vetja, shpesh është handikap në shoqërinë tonë. Jam i drejtpërdrejt dhe pa qime në gjuhë. Gjithmonë e them atë çka mendoj. Kjo natyrisht, në shoqërinë tonë, tingëllon si veprim jotaktik dhe shpesh, sinqeriteti i im më sjell keqkuptime të panevojshme. Jam dinamik dhe shumë energjik, dhe kjo mund të sjellë probleme, për shkak se dua që gjithmonë punët të kryhen shpejt dhe mirë. Kjo nuk vlerësohet te ne.
Të dashuruarit çdo ditë dashurojnë, megjithatë është një ditë e veçantë, ajo e Shën Valentinit. E shënoni ju këtë festë dhe nëse po, si?
Arianiti: Për neve është thuaja çdo ditë Shën Valentin. Përndryshe, shpesh kemi udhëtuar për këtë ditë.
Sa të vëmendshëm jeni ndaj detajeve, çfarë dhuroni zakonisht? Çfarë merrni për dhuratë?
Arianiti: Jam shumë i kujdesshëm për data të caktuara dhe për dhurata. Vazhdimisht tentojmë të jemi kreativ sa i përket dhuratave.
Merita: Edhe unë jam shumë e kujdesshme për dhurata dhe urime. Nuk harroj kurrë. Madje, shpesh kam problem çka t’i blejë Arianitit, për shkak se është shumë ” nazeli”. Nuk i pëlqen gjithçka.
Porosia juaj për të gjithë ata që janë të dashuruar, ose janë në prag të dashurisë?
Dashuroni, se pa dashuri nuk ka jetë. Në fakt, mund të jetohet edhe pa dashuri, por atëherë jetojmë si bimë: trup pa shpirt.
Faleminderit për intervistën me shkas dhe në emër të lexuesve ua urojmë me zemër këtë festë të përbotshme të dashurisë.
/Telegrafi/