Është një mesazh i kohës së shkuar apo kod i kohës që jetojmë, vështirë për ta deshifruar atë, kur thuhet se: jeni më të mirë në qoftë se gjeni një partner. Është kjo ide që ju mund të jeni vetëm, të keni miq e karrierë të ndritur, por që nuk mjafton për të qenë e lumtur po aq sa martesa. Por, a kemi arritur ende ta zbulojmë se, çfarë me të vërtetë është lumturia ?!
Kjo është qesharake ngase shpesh, miqësia e mirë, zgjatë më shumë se martesa. Por, fatkeqësisht këto lloj stereotipa të trishta ende ekzistojnë në shoqërinë tonë, pavarësisht vendit se ku jetojmë. Megjithatë, Ariana Pallatës, një femër e suksesshme dhe me karrierë të ndritur nuk i pengon fare kjo gjë. Madje, përmes kësaj interviste, me shumë kënaqësi shpalos mendime dhe përvojat e saja personale mbi këtë çështje.
Intervistoi: Albana Haxhimustafa – Murseli
Njerëzit të cilët janë beqar janë objektivat e stereotipave negative dhe diskriminimit, krahasuar me të martuarit apo të shoqëruar, të cilët janë përshkruar shpesh në terma shumë pozitiv. Por, për ju si është të jesh beqare në Kosovë?
Pyetje shumë me vend: Si është të jesh beqare në Kosovë? Unë them aspak e lehtë, por pavarësisht këtij fakti unë edhe pse jam ‘SINGLE’ nuk më vije turp ta pranoj e aq më pak ta fsheh, dhe nuk vuaj për këtë të ashtuquajtur ‘defekt’ që e ka kapluar shoqërinë tonë. Tek ne po që se nuk je e martuar, nuk ke arritur asgjë në jetë, pra nuk je komplete, me rëndësi është që statusi yt të mos jetë i dyshimtë se pastaj, vaj halli për ty. Unë jam tmerruar gjithnjë nga ato femra që janë të varura prej një mashkulli. Prandaj, e kam shumë të vështirë ta kuptoj këtë koncept konservativ, se çdo gjë sillet rreth një unaze në gisht, e cila supozohet të jetë simbol i dashurisë së përjetshme mes dy njerëzve. Për mua, dashuri do të thotë, ta duash tjetrin pa qenë e varur nga nevoja për ta pasur. Kjo frazë është shumë mirë e shpjeguar në librin e Mirela Sula “Pasioni i Pjesëtuar”…Ajo që dua të them është se, edhe pse, jam beqare ndihem shumë mirë dhe rehat në lëkuren time, sepse e kam përkrahjen e pa fund të nënës sime dhe jam e rrethuar prej miqve e mikeshave të cilët me duan pikërisht pse, unë jam Ariana e tillë, e sinqertë, pa rezerva, pa barriera, pa paragjykime dhe shumë dashamirëse. Kam fat të madh që kam shumë njerëz rreth vetës me të cilët ndaj brengat dhe hallet, e kjo për mua ka domethënie të madhe.
Nga jeta kam mësuar që, për çdo gjë duhet të vijë koha, andaj unë nuk ngutem. Të jetosh në Prishtinë pas moshës tridhjetë vjeçare nuk mund të thuhet se është e lehtë, siç e potencova edhe më lartë pra, përkundrazi është mjaft e vështirë, bile, ndonjëherë kalon edhe në fyerje dhe nënçmim por, sidoqoftë ne që jemi ende”single” duhet të mësojmë të jetojmë me këtë ters e kaos çdo ditor duke i injoruar pyetjet dhe shikimet që na përcjellin…
Filozofi, historiani dhe eseisti Thomas de Quincey ka përcaktuar martesën si “një bashkim mes dy personave, të cilët kanë jetuar në harmoni në mënyrë absolute me njëri-tjetrin, që të jenë të pavarur nga bota e jashtme. Çfarë mendon ti për këtë?
Derisa Thomas de Quincey ka dhënë këtë përcaktim, në anën tjeter Malinowski ka përkufizuar martesën si një kontratë për prodhimin dhe mirëmbajtjen e fëmijëve, në ndërkohë edhe sociologët Horton dhe Hunt kanë përcaktuar martesën si model social të miratuar ku dy ose më shumë persona do të krijojnë një familje. Prandaj mendoj se më shumë është çështje e perceptimit personal në përzgjedhjen e asaj se si ne vendosim të jetojmë: të pavarur nga bota e jashtme apo dhe si ta gjejmë harmoninë atje ku ne mendojmë se mundemi !
A është e vërtetë se meshkujt nuk i preferojnë femrat e zgjuara, të suksesshme dhe të forta për nga karakteri?
Nuk mund ta them sa është e vërtetë apo jo kjo gjë, sepse nuk dua t’i përgjithësoj apo t’i fus në një kallëp të gjithë meshkujt. Me aq sa kam dëgjuar dhe kam parë, mund ta themi defintivisht se femrat që janë të suksesshme apo kanë karakter të fortë, rrallë herë mund të gjejnë gjuhë të përbashkët me meshkujt. A është kjo pasojë e asaj që ata ndihen më inferior apo më të rrezikuar në praninë e femrave të këtij lloji, nuk e di. Por, siç duket, iu preket egoja mashkullore. Mund të them se çdo herë ekzistojnë përjashtime; ndoshta, diku gjendet ndonjë ‘mashkull’ që preferon një femër të zgjuar ta ketë afër vetes.
Nuk është e rastësishme fjalia, “pas çdo mashkulli të suksesshëm, fshihet një femër e zgjuar”. “Burri i vërtetë do dy gjëra: rrezikun dhe lojën. Prandaj, e do gruan që është loja më e rrezikshme” thotë F. Niçe, e ku ta dimë, ndoshta Niçe ka pas të drejtë në këtë aspekt se gjërat e rrezikshme gjithnjë janë më sfiduese!
“Kureshtja e mbyti macen”. Është ky proverb i përdorur fillimisht nga Shekspiri. Ndërsa, edhe lexuesit e kësaj interviste, besoj, janë kureshtarë të dinë më shumë për ju.
Hmmmmm, nga Shekspiri më shumë më pëlqen “Të jesh apo të mos jesh kjo është pyetja”, por sigurisht të gjitha veprat e tij ngërthejnë brenda vetës diçka të veçantë. Sidoqoftë, shpresoj se kureshtja nuk do t’i mbyt lexuesit tanë, sepse ata ndoshta presin diçka bombastike, skandaloze apo edhe ndoshta mbresëlënëse…Unë i takoj gjeneratës e cila ka qenë vazhdimisht e përndjekur nga situata politike dhe që nga klasa e parë e kam përjetuar shumë rëndë çdo lëvizje politike.
Kam përfunduar studimet në Universitetin AAB për gazetari dhe komunikim masiv dhe kam diplomuar në master me temën ‘ Etika e paraqijtes së reklamës në televizion”. Prej vitit 1996-1999, kam punuar si gazetare në javoren ‘Zëri’, më konkretisht për revistën e të rinjve ‘Jeta’. Nga kjo periudhë kohore barti shumë kujtime dhe mund të them se kam mësuar shumë. Nga viti 2000, fillova punën në RTK, në departamentin e marketingut. Për mua, kjo fushë ishte krejtësisht e re dhe e pa gjurmuar fare, prandaj ishte një sfidë e re, për të cilën asnjëherë nuk më ka shkuar mendja që do ta mbijetoja për 15 vite radhazi.
Puna në televizion me të vërtetë të ofron kënaqësi, por edhe të shpenzon pa masë, sidomos kur ke të bësh me një punë që matet me sekonda. Jam përfshirë edhe në emisionin e atëhershëm, “Air Condition”, në rubrikën “My fashion”, një përvojë e paharruar, sepse gazetaria mbetet gjithnjë dashuri e parë për mua. Edhe pse momentalisht nuk po shkruaj me intensitetin sikur më parë, kjo nuk do të thotë që nuk mbaj shënime për çdo imtësi që më ngacmon. Ndoshta pas një kohe, do të vendos të dal më ndonjë përmbledhje ose të bëj një libër. Përcjellja e ngjarjes së këngës së Eurovisionit për dy vite rresht ka qenë një prej përvojave të mija shumë të bukura. Kjo mbase, ekipi ynë ka qenë i vetmi në Kosovë që e ka përcjellë këtë ngjarje të madhe të botës së artit dhe kulturës.
Si rrjedhojë e asaj që kam bërë gjatë karrierës sime, vlen te përmendet edhe një rol i vogël brenda serialit më të shikuar në Kosovë ‘Kafeneja Jonë’. Mund të them se jam ndier e privilegjuar që isha pjesë e ekipit të mrekullueshëm të këtij seriali derisa gjatë xhirimit, pothuajse për një moment, u shndërrova edhe unë në një aktore ‘amatore’…Dhe, po të mos merresha kaq gjatë me profesionin tim në marketing sigurisht se do të studioja për aktrim. Nuk e di a është shuar kureshtja e lexuesve por kjo përafërsisht do të shpjegonte atë çka ka bërë Ariana deri tash dhe si ka arritur deri këtu.. ka qenë rrugëtim i gjatë apo jo?!
Jeni një femër e shoqëruar, e megjithatë e vetmuar….po e dashuruar?!
E shoqëruar jam gjithnjë, çdo moment dhe rrallë herë dal dhe rri vetëm , pra nuk jam e vetmuar edhepse jam vet, që ky status nuk e nënkupton përjetësinë. Dashuria për mua është diçka e shenjtë dhe si të tillë e përjetoj, andaj ndoshta edhe kam kujdes në përzgjedhjen e njeriut të zemrës. Ehhh, vështirë është të gjendet shpirti binjak apo?!
Përndryshe jam shumë energjike, shquhem që di të jem mjaft impulsive, e kam një të metë që u them në fytyrë njerëzve atë që e mendoj. Jam pak kokëfortë, çdo gjë që e marrë ta bëj, e kryej me përgjegjësi dhe përpikëri. I dua shumë miqtë me të cilët e kaloj pjesën më të madhe të ditës dhe mendoj se jeta është shumë e bukur kur je e rrethuar me njerëz që të duan. Gjithsesi, si femër e vetme (e zgjuar, e vetmuar, e dashuruar apo jo?!) duhesh të jesh shumë e fortë që të arrish t’u mbijetosh të gjitha sfidave që do t’i servojë jeta. Së paku po flas për Kosovë, ku statusi ta përcakton respektin dhe ndjeshmërinë në shoqëri. Sado e dhimbshme qoftë kjo, është e vërtetë!!!
A ekziston lumturia dhe ku e gjeni ju atë lumturi?
Universi i lumturisë është shumë i çuditshëm. Nuk mund ta blejmë, as t’ia marrim dikujt. Ajo për mua është shumë relative…njeriu mund të dijë të kënaqet me pak dhe mund ta gjej lumturinë në gjëra të vogla. Unë, personalisht di të ndjehem shumë mirë edhe kur pi një kafe me një mik apo mikeshë timen, dhe di t’i gëzohem gjërave të vogla….
“Punë, punë natë e ditë, që të shohim pakës dritë…”. Çfarë keni të përbashkët me këtë thënie të Naimit?
Unë më shumë e përdori punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz para, hahhahha. Me këtë thënie të përpiktë të Naim Frashërit nuk di çka kam tjetër të përbashkët, porse, vërtetë, duhet shumë punë dhe angazhim për të arritur një sukses. Për mua ka qenë rrugë e gjatë dhe e mundimshme derisa kam arritur në pozicionin ku jam, kam punuar shumë dhe me mjaft përkushtim të bëhem zot i punës që bëj dhe atë ta bëjë me nder, e jo duke zgjedhur rrugë të lehta, siç po praktikohen shumë ditëve të sotme nga femrat e reja, apo eventualisht duke qenë militante e ndonjë partie në pushtet dhe si shpërblim e fiton vendin e punës. Në asnjë mënyrë nuk dua të moralizoj por është shumë evidente që tek ne dija, vlerat dhe kriteret kanë fare pak rëndësi… Mendoj se paraja nuk është gjithçka në jetë karshi qetësisë shpirtërore. Unë nuk kam zgjedhur asnjëherë të jem rob i dikujt që më ka bërë favore, unë kam vendos të jem vetëm rob i punës që bëj andaj atë e marr së pari si kënaqësi shpirtërore e më pas si punë profesionale që duhet kryer me dinjitet.
Me çfarë sfidash jeni ballafaquar, si e keni zgjedhur marketingun për profesion?
Kur kthehem në retrospektivë, duket sikur koha ka ndaluar. Kanë kaluar aq shpejt vitet sa që shpesh mendoj si kam mbijetuar tërë këtë kohë. Jam ballafaquar me shumë sfida dhe punë stresuese, sepse vetë natyra e punës së marketingut është e tillë, gabimi më i vogël mund të kushton shumë, e unë si personalitet nuk jam prej atyre që ia lejoj vetes luksin të gaboj. Çdo ditë, gjatë këtyre viteve për mua ka qenë nga një sfidë e re duke u nisur nga ato më pak të rëndësishme kur një klient thërret në tel dhe i bie në mend të të bëjë muhabet për çështje aspak profesionale e deri tek ato që janë shumë serioze. Ndjehem edhe më tutje shumë e lumtur atëherë kur arrij ta ndihmoj klientin, kur arrij t’i zgjidh një problem, kur shoh që ata ndahen të kënaqur prej shërbimit të ofruar.
Marketingun nuk e kisha paramenduar asnjëherë si profesion timin primar por e dua aq shumë sa që jam e mishëruar me këtë punë. Është diçka që edhe po të më pyesin në gjumë, mund t’iu kthej përgjigjen. Ta duash punën që e bën është bekim dhe kënaqësi derisa suksesi si kombinim i këtij kokteji është i pashmangshëm.
Cili do të ishte shpërblimi më i veçantë që pret nga karriera jote?
Shpërblim më të madh për mua nuk ka se kur Institucioni në të cilin punoj mburret me punën time të suksesshme që unë kam bërë për tërë këto vite, që mbiemri im më shumë është Ariana e Marketingut se sa Ariana Pallata. Unë jam sinonim i femrës që ka sekondën më të shtrenjtë në Kosovë për t’u ulur dhe biseduar (kuptohet për çështje pune)…hhhhahahha, kjo ishte një shaka për fund!
Foto: Artan Korenica