Site icon Telegrafi

Argjentina zyrtarisht kërkon t’i bashkohet NATO-s

Argjentina zyrtarisht ka kërkuar të bashkohet me NATO-n si një partner global, status ky i cili do t’i hapte rrugën për një bashkëpunim më të madh politik në një kohë kur qeveria e krahut të djathtë të presidentit argjentinas, Javier Milei, synon të forcojë lidhjet me fuqitë perëndimore.

Bëhet e ditur se kërkesa për anëtarësim vjen ndërsa Zëvendës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mirçea Geoana, zhvilloi bisedime në Bruksel mbi sfidat e sigurisë rajonale.

Anëtarësimi në NATO aktualisht është i kufizuar në vendet evropiane, Turqi, Kanada dhe SHBA.

E nëse Argjentina i bashkohet aleancës, atëherë asaj do t’i lejohet qasje në teknologji të avancuar, sisteme sigurie dhe trajnime që më parë nuk ishin në dispozicion për të, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

“Argjentina luan një rol të rëndësishëm në Amerikën Latine. Bashkëpunimi më i ngushtë politik dhe praktik mund të na sjellë dobi të dy palëve”, tha Geoana.

Ndryshe, gjatë katër muajve të fundit si president, Milei ka drejtuar politikën e jashtme të Argjentinës drejt një mbështetjeje pothuajse të pakushtëzuar për SHBA-në, si pjesë e përpjekjes për ta rikthyer vendin në faktor me rëndësi në ekonominë globale.

Gjithashtu, qeveria e Mileit po kërkon përfitime edhe përmes fuqizimit të lidhjeve me vendet perëndimore.

Por, partneriteti zyrtar me NATO-n kërkon konsensusin e 32 anëtarëve të saj.

E lidhjet e Argjentinës me aleatin kryesor të NATO-s, Britaninë e Madhe, kanë qenë të tensionuara që nga viti 1982 kur të dy vendet hynë në luftë për ishujt e kontestuar Falkland në Atlantik.

Partnerët e tjerë global të aleancës përfshijnë Afganistanin, Australinë, Irakun, Japoninë, Mongolinë, Zelandën e Re, Pakistanin dhe Korenë e Jugut. Aktualisht i vetmi partner i NATO-s në Amerikën Latine është Kolumbia.

Megjithatë, dhënia e statusit “partner global” një vendi nuk do të thotë se aleatët e NATO-s do të vihen në mbrojtje të tij në rast sulmi. /Telegrafi/

Exit mobile version