Është lidhur ngushtë me secilën copëz të natyrës. Bukuria e saj tërheqëse merr gjithmonë vëmendjen, gjersa pasioni i madh për muzikën e ka identifikuar si këngëtare.
Është kjo Argjentina Ramosaj, e cila gjithmonë di të servojë këngë të veçanta për publikun, që gjithmonë mbeten gjatë në memorien e njerëzve. Së fundmi ajo solli projektin e saj të ri “A ma jep”, një këngë ritmike RNB, shoqëruar me një klip të bukur pranveror.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, Argjentina vjen kësaj radhe për të shpalosur detajet e projektit të saj më të fundit, duke zbuluar edhe planet që ka për të ardhmen në muzikë. jashtë saj, Argjentina është një nënë e përkushtuar, dita e së cilës mban emrin e djalit të saj “Noah”, kjo falë angazhimit dhe preokupimit të përditshëm që ka ndaj tij.
Për të gjitha këto, Ramosaj rrëfehet në intervistën në vazhdim….
Argjentina, keni realizuar së fundmi projektin tuaj më të ri muzikor “A ma jep”. Mund të na thuash diçka pak më shumë rreth këtij projekti?
Kënga është një këngë e ndjerë dhe e gëzueshme, që rrezaton vetëm ndjenja pozitive, si kënga, ashtu edhe klipi. Muzikën e kanë bërë Cekici edhe ES Beats, ndërsa tekstin e ka shkruar Vig Poppa. Klipin e ka realizuar produksioni Entermedia. Jam shumë e kënaqur me projektin dhe bashkëpunëtorët. Uroj që edhe publiku ta ketë mirë pritur.
Sa gjatë keni punuar në këtë projekt, dhe sa jeni ndarë e kënaqur me suksesin në fund?
Një muaj e gjysmë kam punuar gjithsej në tërë këtë projekt, dhe po jam shume e kënaqur me realizimin dhe produktin final.
Keni ardhur me një klip të bukur pranveror. Sa jeni e lidhur me natyrën, duke qenë se shumica e klipeve tuaja kanë të ndërthurur brenda elemente dhe peizazhe të natyrës?
Një pjesë e klipit është realizuar në Shkodër, e tjetra në Prishtinë. Natyra është pjesë e asaj kush jam. E vizitoj dhe kënaqem shpesh në malet tona.
Si lindi ideja e klipit, dhe pse zgjodhët sërish Entermedian?
Me Entermedian jam ndarë gjithmonë shumë e kënaqur, sepse janë shumë profesionalistë dhe inovativë.
Dukeni gjithmonë bukur dhe tërheqëse në paraqitjet tuaja. Sa i kushtoni kujdes dukjes dhe a këshilloheni me stilistë?
Mundohem të përkujdesëm për vetën dhe të qëndroj në stilin tim personal. Ndërsa për klipe bashkëpunoj me dizajnerët përkatës që i përshtaten shijes time. Për këtë klip kam punuar me dizajneren e mrekullueshme, Diana Qerimin.
Para këngës së re, lansuat edhe një bashkëpunim me reperin Vig Poppa. Si lindi ideja për tu bërë bashkë për këtë duet dhe se jeni ndarë e kënaqur me suksesin?
Unë dhe Vig Poppa kemi pritur për të bërë këtë bashkëpunim një kohë të gjatë. Dhe përfundimisht koha ishte për të sjellë diçka kreative dhe unike së bashku. Jam shumë e lumtur për atë projekt.
Cilat janë projektet tjera që presim nga ju gjatë këtij viti?
Pas këngës “A ma jep”, vijon edhe një bashkëpunim, do të marr pjesë edhe në një këngë që do dalë muajin e ardhshëm.
I kthehemi pak jetës private. Dimë që jeni një nënë e përkushtuar. Sa jeni e lidhur me Noah, dhe si është reagimi i tij kur sheh të ëmën në ekran?
Si çdo nënë jam e obsesionuar ndaj të birit tim, e dua pa masë…Ai lumturohet kur më sheh në TV, fillon të këndojë dhe thërret “Mami” (qesh). Është bekimi më i madh për mua!
Një ditë e zakonshme e Argjentinës. Si nis, si vazhdon dhe si përfundon?
Zgjohem me Nohan, e përgatiti, e ushqej, merrem me punët rreth shtëpisë, pastaj bëhem gati dhe shkoj në studio, për Noan pastaj përkujdeset dadoja. Kur kthehem darkojmë dhe lozim, me pak fjalë një ditë e mbushur me shumë angazhime dhe dashuri.
Hobi juaj?
Muzika, fotografia, dizajni i modës, shëtitjet në natyrë etj.
Çfarë nuk di publiku për Argjentinën?
Nuk e di, nëse ka diçka që nuk dinë rreth meje. Argjentina është kjo që shihni dhe kjo që duket.
Thënia juaj e jetës?
“Mos u pendo për asgjë”, kam edhe një tatuazh të tillë në trup me po këtë thënie.
Argjentina, faleminderit shumë që ishe pjesë e kësaj interviste. Cili do të ishte mesazhi yt për fund, për lexuesit e Telegrafit?
Ju faleminderit për mbështetjen, shpresoj të kënaqeni me këngët e mia. Dashuri për të gjithë. E juaja, AR. /Telegrafi/