Skuadra e drejtuar nga Diego Maradona e ka mposhtur Perunë me rezultat prej 2-1 për të bërë një hap shumë të rëndësishëm drejt Afrikës së Jugut.
Golin e parë në ndeshje e shënoi sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, në minutat e para të pjesës së dytë, duke shpërblyer besimin që ia dha trajneri, i cili e ftoi në ndeshjet vendimtare për kualifikim.
Drama e vërtetë e kësaj përballjeje ndodhi në minutat e fundit të takimit.
Një minutë pa përfunduar koha e rregullt e ndeshjes (89’), mysafirët barazuan rezultatin me anë të Hernan Rengifos.
Atëherë kur shpresat e Argjentinës dukeshin të zbehura për fitore, në skenë doli Martin Palermo, i cili shënoi golin e fitores për ta dërguar në trans trajnerin Diego Maradona, lojtarët dhe gjithë tifozerinë e Argjentinës.
Me këtë fitore, Argjentina pozicionohet në vendin e katërt, duke qenë se Ekuadori (që mbante vendin e katërt) u mposht nga Uruguai me rezultat 2-1.
Takimi i fundit kualifikues i Argjentinës pritet që të jetë po ashtu interesant, duke qenë se përballet me Uruguain që aktualisht zë vendin e pestë dhe ka vetëm një pikë më pak se Albicelestët.
Nga Amerika Jugore (CONMEBOL) kualifikohen direkt katër skuadra, ndërsa skuadra e pestë shkon në ‘play-off’ me skuadrën e pozicionuar në vendin e katërt në Amerikën Veriore (CONCACAF).