Telegrafi

Argjentina në gjysmëfinale, fiton me penallti ndaj Holandës në ndeshjen e çmendur

Argjentina ka arritur të mposht Holandën pas gjuajtjeve të penalltive, pasi loja e rregullt u mbyll 2-2, në një ndeshje të bukur dhe dramatike.  

Pas një fillimi jo të fortë dhe me raste, pas minutës së 30-të ndeshja u hap me raste.

Fillimisht provoi Rodrigo de Paul në minutën e 33-të, me një gjuajtje nga distanca, por Andries Noppert ishte në vend.

Pas dy minutash u zhbllokua ndeshja, kur Lionel Messi asistoi bukur te Nehuel Molina, i cili i vetëm me portierin shënoi për 1-0.

Goli sërish zhbllokoi ndeshjen, pasi pjesa e parë nuk solli raste të tjera, edhe pse holandezët kishin posedimin.

Në fillimin e pjesës së dytë, sërish holandezët kishin më shumë nga loja, por rastet mungonin.

Messi tentoi me një goditje dënimi në minutën e 63-të, por topi shkoi pak mbi portë.

Zhvillohej minuta e 71-të, kur Denzel Dumfries penoi në zonë Marcos Acunan dhe gjyqtari Antonio Mateu Lahoz tregoi te pika e bardhë.

Nga penalltia i saktë ishte Leo Messi që shënoi për 2-0. Ky është goli i katërt i argjentinasit në këtë kampionat botëror.

Holanda nuk kishte më se çfarë të humbiste dhe shtoi forcat në sulm dhe kjo doli e qëlluar.

Në minutën e 83-të, erdhi goli që e hapi ndeshjen, kur Steven Berghuis harkoi në zonë, duke e gjetur Wout Weghorst që me kokë shënoi për 2-1.

Pas tre minutash tulipanët kanë mundur të barazojnë, por gjuajtja e fuqishme e Berghuis, shkoi ngjitur me shtyllën.

Minutat e fundi u karakterizuan me lojë të fortë dhe shpesh edhe me tollovi.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej, në minutën e 11-të shtesë, Weghorst sërish shënoi pas një aksioni të bukur të holandezëve për 2-2.

Në vazhdime Argjentina shtoi presionin dhe krijoi më shumë për të shënuar.

Lautaro Martinez kishte rast të mirë për të shënuar në minutën e 115-të, por goditja e tij që shkonte në portë u ndal nga Van Dijk.

Vetëm pas një minute Enzo Fernandez gjuajti bukur nga jashtë zonës dhe topi u devijua nga mbrojtja, duke përfunduar për pak në rrjetë.

Pas tij provuan edhe German Pezzella dhe Lautaro Martinez, por sërish rezultati nuk ndryshoi.

Në minutën e parë të kohës shtesë të vazhdimit të dytë Enzo Fernandez me një gjuajtje të fortë qëlloi shtyllën.

Ndeshja u vendos në penallti, kur më të saktë ishin argjentinasit që luajnë në gjysmëfinale ndaj Kroacisë.  /Telegrafi/