Telegrafi

Argjentina mposht me lehtësi Bolivinë, Messi shënon het-trik

Kombëtarja e Argjentinës ka fituar me rezultat të thellë 3-0 në shtëpi ndaj Bolivisë në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës “Katar 2022”.

Albiceleste kanë vazhduar me formë pozitive dhe fitore në ndeshjet kualifikuese të Amerikës së Jugut duke mposhtur me lehtësi Bolivinë.

Ylli kryesor i skuadrës dhe më meritori padyshim se ishte kapiteni Lionel Messi, i cili shënoi het-trik.

Messi shënoi het-trik ndaj Bolivisë

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me dominim të Argjentinës, e cila përveç rasteve arriti të shënojë edhe dy gola, por që njëri iu anulua nga VAR-i.

Goli i vetëm i rregullt në këtë pjesë u shënua nga Messi (14’) që shënoi një supergol nga distanca për 1-0, ndërsa goli i Lautaro Martinezit u cilësua i parregullt.

Në pjesën e dytë, Argjentina vazhdoi dominimin dhe lojën e mirë duke shënuar edhe dy gola dhe duke siguruar fitoren e radhës.

Goli i parë në këtë pjesë erdhi në minutën e 64-të me anë të Messit, i cili shënoi për 2-0, ndërsa kapiteni kompletoi het-trikun në minutën e 88-të duke shënuar për 3-0 dhe duke vulosur rezultatin përfundimtar.

Pas kësaj fitore, Argjentina e sheh veten në pozitën e dytë me 18 pikë, ndërsa Bolivia renditet e nënta me vetëm gjashtë pikë.

Në ndeshjen e radhës, Albiceleste luan në udhëtim te Paraguai, teksa Bolivia udhëton te Ekuadori. /Telegrafi/