Telegrafi

Argjentina gabon ndaj Paraguait, Kolumbia mposht Katarin

Janë zhvilluar edhe dy ndeshje të Copa Americas, ajo në mes të Argjentinës dhe Paraguait dhe ajo në mes të Kolumbisë dhe Katarit.

Kombëtarja e Argjentinës e ka bërë edhe një gabim në kuadër të Grupit B në Copa America dhe tani rrezikon kualifikimin tutje.

Albiceleste kanë barazuar 1-1 me Paraguain në ndeshjen e dytë të vlefshme për këtë grup, ndërsa ishin me fat që nuk humbën gjithë ndeshjen.

Messi dhe Argjentina dështuan përsëri (Foto: Pedro Vilela/Getty Images/Guliver)

Të parë në epërsi kaluan paraguaianët me anë të Richard Sanchez (37′), i cili shënoi për 0-1, ndërsa Lionel Messi (57′) nga penaltia barazoi shifrat 1-1.

Paraguai pati mundësi reale ta fitonte ndeshjen, por Derlis Gonzalez (62′) u tregua i pasaktë nga pika e bardhë, ndërsa edhe Argjentina pati rast me anë të Lautaro Martinez (66′), i cili nuk gjeti cakun dhe ndeshja përfundoi me barazim.

Në përballjen tjetër të këtij grupi, Kolumbia shënoi fitoren e radhës, ku viktimë ishte Katari, të cilët u mposhtën në fund.

Goli i vetëm në këtë përballje u shënua nga Duvan Zapata (86′), i cili shënoi golin e fitores 1-0 pas asistimit të James Rodrigez.

Zapata dhe James Rodriguez (Foto: Wagner Meier/Getty Images/Guliver)

Tani Kolumbia ka gjashtë pikë dhe kalon tutje si lider i grupit, ndërsa pasohet nga Paraguai me dy pikë dhe Katari e Argjentina me nga një.

Në ndeshjen e radhës, Argjentina luan ndaj Katarit, ndërsa Kolumbia ndaj Paraguait. /Telegrafi/