Telegrafi

Argjentina e nis botërorin me barazim ndaj Islandës, Messi humb penalltinë

Lionel Messi (Getty Images)

Kombëtarja e Argjentinës dhe ajo e Islandës kanë barazuar 1-1 në ndeshjen e tyre të parë të grupeve në Kupën e Botës “Rusia 2018”.  

Pjesa e parë e takimit u karakterizua me një dominim të madh të Argjentinës, por të dyja skuadrat shënuan nga një gol dhe shkuan në pushim me barazim.

Luhej minuta e 19-të e ndeshjes kur Sergio Aguero shënoi një gol të bukur për 1-0 pasi më parë u shërbye nga Marcos Rojo.

Aguero shënoi gol të bukur (Getty Images)

Megjithatë, epërsia e tyre zgjati vetëm katër minuta pasi Alfred Finnbogason barazoi në 1-1 nga afërsia.

Festa e Islandës pas golit të Finnbogason (Getty Images)

Në pjesën e dytë, djelmoshat e Jorge Sampaolit përsëri ishin më të mirë dhe më kërkues për golin e epërsisë.

Në minutën e 64-të të ndeshjes ishin shumë afër, por ylli i ekipit, Lionel Messi, dështoi të shënojë nga pika e bardhë pasi goditja e tij u prit nga portieri Hannes Halldorsson.

Halldorsson ia priti penalltinë Messit (Getty Images)

Deri në fund të ndeshjes kombëtarja Albiceleste vazhdoi trysninë dhe sulmet në drejtim të Islandës, por Halldorsson arriti t’i bëjë edhe dy pritje të mira dhe ta shpëtoj ekipin e tij nga humbja.

Kështu, pas 90 minutave lojë Argjentina dhe Islanda ndahen me barazim 1-1 në ndeshjen e vlefshme për Grupin D, aty ku Kroacia dhe Nigeria do të luajnë më vonë.

Në ndeshjen e ardhshme, latinët luajnë ndaj Kroacisë, ndërsa Islanda me Nigerinë. /Telegrafi/