Ardita Sinani, këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është ndaluar sërish mbrëmë në vendkalimin kufitar Muçibabë.
Sinani u ndalua dy herë brenda ditës së hënë, transmeton Telegrafi.
Ajo në postimin e bërë në Facebook ka thënë se policia kufitare serbe e ka ndaluar pa asnjë sqarim.
“Mbrëmë rreth orës 21:00 në vendkalimin e njëjtë kufitar me Republikën e Kosovës, Muçibabë, përsëri u ndalova nga policia kufitare serbe. Për herë të dytë brenda të njëjtës ditë. Jo vetëm duke e lëshuar Serbinë, por edhe duke hyrë. Këtë herë periudha kohore ishte më e shkurtër se në orët e mëngjesit të djeshëm. Edhe kësaj radhe pa asnjë sqarim e arsyetim! Thjeshtë ndalesë”, thotë ajo.
Tutje, ajo ka pohuar se “kjo është Serbia me të cilën si shqiptarë të Luginës së Preshevës ballafaqohemi çdo ditë. Kjo është Serbia për pakicat kombëtare”.
Lidhur me ndalimin e Sinanit ka pasur reagim edhe nga Qeveria e Kosovës.
Zyra e Kryeministrit, përmes një njoftimi ka thënë se ky veprim është shkelje e rëndë e të drejtës themelore të lirisë së lëvizjes.
Kryeministri Kurti, ka kërkuar që Serbia të ndalojë diskriminimin me bazë etnike dhe shtypjen e të drejtave të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës.
“Kjo sjellje e Serbisë, e cila, përveçse nuk lejon edukimin e lartë në gjuhën shqipe dhe punësimin në institucione publike, përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, atë të lirisë së lëvizjes”, thuhej në reagimin e Qeverisë. /Telegrafi/