Këshilltarja Politike e kryeministrit Albin Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani, ka kërkuar nga emisarii i BE-së në dialog, Miroslav Lajçak, që të takojë edhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Serbi.
Sinani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se qasja e Lajçak mund të kontribuojë në dërgimin e mesazheve të gabuara.
“Shqiptarët në Luginën e Preshevës në veçanti dhe ata në Serbi në përgjithësi, si komunitet joshumicë, mbeten të diskriminuar dhe të shtypur. Këtë e konfirmojnë me dekada edhe raportet e ndryshme zyrtare të instancave të Bashkimit Evropian dhe të administratave respektive amerikane”, ka shkruar Sinani.
Sinani ka thënë se Lugina e Preshevës si rajon dhe shqiptarët në Serbi përballen me shumë probleme për shkak të mosnormalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Prandaj është kundërproduktive që në një proces normalizimi të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë të përfshihet çështja e komunitetit joshumicë serb të Kosovës dhe jo edhe çështja e komunitetit joshumicë shqiptar në Serbi”, ka shkruar Ardita Sinani.
Sipas saj, harmonizimi i sotëm i standardeve të të drejtave të komuniteteve joshumicë midis dy vendeve dialoguese është në interes të paqes së nesërme midis tyre.
“Përfshirja e të zgjedhurve të tyre në proces është në shërbim të stabilitetit, sigurisë, evropianizimit dhe demokracisë së Ballkanit Perëndimor. Prandaj, z.Lajçak, Ju ftoj që të na takoni edhe neve, të zgjedhurit e shqiptarëve në Serbi. Për t’na dëgjuar. Së paku”, ka shkruar Sinani. /Telegrafi/