Kryesia e Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, ka zgjedhur Ardita Sinani, për kandidate për kryetare të Komunës të Preshevës, në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale, që do të zhvillohen në muajt e parë të vitit 2021.
Në një njoftim thuhet se këto zgjedhje janë të jashtëzakonshme sidomos për shkak se janë mundësi për ta hapur një kapitull të ri.
“Këto zgjedhje lokale nuk janë vetëm të jashtëzakonshme për shkak të dështimit të Shqiprim Arifit. E as për shkak të dështimit të tij për ta sjell ndryshimin pozitiv, të cilin fillimisht dhe shkurtimisht e mbështeti edhe PVD-ja, që i bëri dymbëdhjetë vjet opozitarizëm keqqeverisjes së Ragmi Mustafës”, thuhet në njoftim.
Më tej theksohet se Komuna e Preshevës meriton një qeverisje më të mirë, në shërbim të të gjithë qytetarëve.
“Këtë qeverisje të mirë nuk e duan ata që e përdorin pushtetin lokal në shërbim të interesave të tyre personale dhe grupore. Siç u dëshmua kur këta individë dhe grupe (para)politike nuk zgjodhën metoda për ta rrëzuar nga funksioni i kryetares së Komunës, Ardita Sinani, vetëm për shkak se simbolizonte të kundërtën e tyre dhe pengonte realizimin e interesave të tyre private”.
Sipas tyre, Ardita Sinani është opsioni që garanton qeverisjen më të mirë në interes të qytetarëve.
“Këto zgjedhje janë mundësi që nuk duhet humbur. Por, zgjidhja për t’i dhënë fund qeverisjes skandaloze të Shqiprim Arifit nuk është kthimi tek Ragmi Mustafa dhe hijet e tij. Por, tek shkëputja përfundimtare me modelin e tyre”, theksohet tutje.
“Në këto zgjedhje do të zgjedhim se a duam që Presheva të qeveriset ende prej modelit Shqiprim Arifi dhe Ragmi Mustafa, apo për të kundërtën e tyre”.
“Rrjedhimisht, ftojmë të gjithë qytetarët e komunës së Preshevës, të cilët duan ta hapin një kapitull të ri në Preshevë duke u shkëputur nga qeverisjet e modelit Shqiprim Arifi dhe Ragmi Mustafa; që të angazhohen, mobilizohen, organizohen, solidarizohen, bashkohen dhe veprojnë, për ta bërë realitet shkëputjen e madhe me keqqeverisjen”, thuhet në fund.