Në datat 18-22 gusht të këtij viti në qytetin e Korçës do të organizohet festivali i përvjetshëm i birrës, i quajtur “Festa e birrës”.
Mes shumë artistëve pjesëmarrës që pritet të performojnë në mbrëmjet e këtij festivali, është lakuar si emër i mundshëm edhe artisti i njohur boshnjak, Goran Bregovic.
Ky i fundit nuk është hera e parë që ftohet për të qenë në Shqipëri, pasi i njëjti është dekoruar me Çelësin e Tiranës në vitin 2006 nga kryetari i asaj kohe, kryeministri i tanishëm Edi Rama.
Pjesëmarrja e mundshme e Bregovicit për një koncert në Shqipëri, ka ngjallur reagime të shumë prej emrave të njohur të skenës shqiptare.
Këngëtarja e njohur Vesa Luma me të parë lajmin reagoi përmes rrjeteve sociale, duke shpresuar se një lajm i tillë është dezinformatë dhe jo diçka e vërtetë.
“Jam e bindur që është një dezinformatë”, shkroi këngëtarja nga Prishtina në InstaStory.
Por kjo nuk mbaron me këtu, pasi ajo e tronditur më pas ndau me fansat një mesazh nga një prej ndjekësve që kishte marrë në InstaStory, i cili kishte shkruar me urrejtje ndaj disa shqiptarëve të Kosovës, duke i përmendur edhe ekzekutimet serbe dhe duke i quajtur ato “të pamjaftueshme” për disa persona.
E me të parë këtë, një reagim tjetër i fortë erdhi nga burri i Vesës, reperi dhe tekstshkruesi i njohur, Big Basta, i cili në rrjetin social Facebook nuk i kurseu komentet fyese për këtë që kishte ndodhur.
“Meqë dërgoni mesazhe me kontekst urrejtjeje, lokalizma, apo ndasi krahinore, kam një mesazh më të qartë dhe më të denjë si reper, duke i dalë në krah në çdo sekond gruas sime dhe fjalës së saj kundër përkrahjes së shkaut. Të q*fsha Goran Bregovic”, ka shkruar Big Basta.
Reagime lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të artistit sllav në ‘Festën e birrës’ në Korçë ka shprehur edhe artistja e njohur shqiptares, Besa Kokëdhima.
Besa në një postim në InsatStory shkroi se Goran mund të jetë një artist i mirë, por jo i përshtatshëm për të kënduar në Shqipëri, kur kemi parasysh konfliktin shumëvjeçar Kosovë-Serbi.
“Ai është një artist i mirë, por mesa duket jo edhe një njeri aq i mirë. Bojkotojeni atë. Mjaft së lënduari motrat dhe vëllezërit tanë nga Kosova. Nuk ka arsye për jetë i ftuar special në një event tradicional lokal. Bojkotojeni”, ka shkruar Kokëdhima në InstaStory.
Lidhur me prezencën e mundshme të Bregovicit në Shqipëri ka reaguar edhe reperi i njohru shqiptar, Arkimed Lushaj – Stresi. Ai publikoi në InstaStory një postim, ku kërkoi bojkotimin e ngjarjes, në të cilën pretendohet se është ftuar.
“Bojkotoni festën e birrës në Korçë. Si mundet të ftohet një këngëtar serb që ka qenë pro masakrës të vëllezërve, motrave, nënave shqiptare të Kosovë”, shkroi Stresi në InsatStory.
Goran Bregovic ani pse është boshnjak i lindur nga një baba kroat dhe një nënë serbe, në identitetin e tij etnik shprehet serb dhe mendohet se me muzikën e tij ka frymëzuar krimet serbe të kryera në Kosovë. /Telegrafi/