Site icon Telegrafi

Përveç refugjatëve që vijnë direkt nga Afganistani, Qeveria do t’i ofrojë mbrojtje edhe atyre që vijnë nga ShBA

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme në formë elektronike ka marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e pikës 2 të vendimit të Qeverisë të datës 16.08.2021, i cili është ndryshuar dhe plotësuar me vendimin e datës 21.08.2021 për ofrimin e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan.

Sipas këtij vendimi, përveç personave që janë në proces të aplikimit për Special Immigrant Visa (Vizave të Veçanta Imigruese) të SHBA-së, atyre të kualifikuar nën grupin P2 (klasifikim i veçantë i përcaktuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan si Prioriteti 2), mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershëm do t’i ofrohet edhe personave tjerë, në bazë të marrëveshjes me SHBA-së, të cilët do të zhvendosen në SHBA apo në një shtet tjetër të tretë, përfshirë familjarët e tri këtyre grupeve.

Kosova ka qenë ndër shtetet e para që i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së SHBA-së për të strehuar afganët, të cilët kanë bashkëpunuar me forcat amerikane, pasi talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit.

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se mbërritja e civilëve afganë në Kosovë është çështje ditësh dhe se ardhja e tyre varët nga organizimi i transportimit që po kryhet nga SHBA.

Numri i saktë i refugjatëve afganë që do të pranojë Kosova ende nuk dihet, por presidentja ka deklaruar se po punohet në zgjerimin e kapaciteteve për të pranuar sa më shumë prej tyre.

Exit mobile version