Prokurorët turq kanë ngritur padi kundër Arda Turanit në lidhje me përleshjen e tij me një këngëtar turk dhe kërkojnë nga gjykata që të dënohet me 12 vjet e gjysmë burg.
Futbollisti që është në pronësi të Barcelonës akuzohet për ngacmim seksual, përdorim të palicencuar të armëve dhe shkaktim të qëllimshëm të dëmtimit ndaj këngëtarit Berkay Sahin – raporton agjencia e lajmeve, Anadolu.
Edhe Sahin, i cili për emër skenik e shfrytëzon vetëm emrin e tij Berkay, është paditur po ashtu dhe prokurorët kërkojnë dënim me dy vjet burg.
31-vjeçari Turan ishte shoqëruar në polici për të dhënë deklaratën e tij në lidhje me incidentin, i cili ka ndodhur jashtë një klubi natë në Stamboll, ku ia kishte thyer hundën këngëtarit.
Berkay Sahin ndodhej me gruan e tij, Ozlem Ada Sahin, në klubin e natës kur ndodhi incidenti. Këngëtari ka thënë për gazetën Haberturk se Turan ia kishte ngacmuar gruan dhe pastaj e kishte sulmuar vet atë.
Sipas Daily Sabah, gjatë përleshjes, Arda ia kishte thyer hundën Sahinit, ashtu që ky i fundit ka kërkuar ndihmë mjekësore. Turan është konfrontuar më këngëtarin e muzikës pop edhe në spital, kurse më pas i ka kërkuar falje.
Futbollisti i ka mohuar akuzat se e ka sulmuar Berkay Sahinin, i cili ka pohuar se Arda ka gjuajtur edhe me armë.
Mesfushori turk në sezonin e kaluar u huazua te Basaksehiri, duke qenë se nuk arriti ta tregonte veten te Barcelona, ku u transferua nga Atletico Madridi. /Telegrafi/