Telegrafi

ARDA synon mobilizimin e fondeve të donatorëve në mbështetje të zhvillimit ekonomik rajonal

Asociacioni i Agjencive Rajonale për Zhvillim (ARDA) sot ishte nikoqire e punëtorisë me donatorë mbi zhvillimin socio-ekonomik për rajonin ekonomik Qendër, e cila solli në një vend aktorët dhe hisedarët kyç të zhvillimit ekonomik rajonal dhe përfaqësues nga komuniteti i donatorëve.

Në konferencë u shpalosën 30 projekte me prioritet, si për komunat individualisht (Prishtinë, Podujevë, Fushë Kosovë, Lipjan, Shtime, Obiliq, Graçanicë dhe Drenas) ashtu edhe ato me karakter ndër-komunal dhe rajonal, të cilat erdhën si rrjedhojë e bashkëpunimit të vazhdueshëm të ARDA-s me autoritetet komunale, si dhe hisedarët dhe aktorët kyç në hartimin dhe zbatimin e politikave dhe programeve të zhvillimin ekonomik rajonal në Kosovë.

Pjesëmarrësit u zotuan për një angazhim të shtuar në mbështetje të zhvillimit rajonal edhe për faktin e orientimeve programore të qeverisë për zhvillim ekonomik të cilat i japin një vend të veçantë zhvillimit të politikave rajonale, identifikimit dhe përgatitjes e projekteve me ndikim pozitiv ekonomik, dhe mobilizimit të fondeve të donatorëve.

Shefi i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë Kristof Stok tha se kjo punëtori vjen në një moment shumë të volitshëm në funksion të orientimeve strategjike të qeverisë në lëvrimin e fondeve të programit IPA 2014-2020 të Bashkimit Europian.

Zëvendësministri për Integrime Europiane, Ramadan Ilazi theksoi gatishmërinë e ministrisë në mbështetjen e nismave që kanë për qëllim rritjen e kapaciteteve të komunave në thithjen e fondeve të donatorëve.

Mbi rëndësinë, vizionin dhe politikat programore të zhvillimit rajonal në kuadër të punimeve të punëtorisë folën Kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës Naim Ismajli, Kryetari i Komunës së Lipjanit dhe kryetari i Bordit të Agjencisë për Zhvillim Rajonal Qendër Imri Ahmeti, dhe në emër të nikoqirit të kësaj ngjarje, Dafina Beqiri – drejtoreshë e ARDA-s për rajonin Qendër.

Kjo ngjarje u organizua në partneritet me Asociacionin e Komunave të Kosovës dhe Ministrinë e Integrimeve Europiane, dhe me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë. ARDA është një rrjet i pavarur jo-qeveritar i themeluar nga pesë Agjencitë për Zhvillim Rajonal, me misionin e koordinimit dhe promovimit të zhvillimin rajonal dhe rural në Kosovë. /Telegrafi/