Telegrafi

Arbnorja, basketbollistja me shumë trofe

Te secila skuadër që ka luajtur në Kosovë, ka fituar titull kampioni. Por basketbollistja Arbnore Përçuku nuk e ka ndërmend të ndalet.

28-vjeçarja synon të jetë aktive në basketboll edhe për disa vjet, që beson se do të jenë të suksesshëm, shkruan sot “Koha Ditore”. Përçuku në edicionin e fundit ka udhëhequr skuadrën e Prishtinës drejt titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës. Ajo konsiderohet si lojtarja kryesore e ekipit bardhekaltër.

Edhe kur t’i thotë lamtumirë basketbollit aktiv, Përçuku nuk e ka ndërmend të largohet nga ky sport. Ajo do të nisë karrierën e trajneres, në mënyrë që përvojën dhe sukseset e saj t’i ndajë me lojtaret e reja që ëndërrojnë për një karrierë në këtë sport.

“Synimet e mia janë që të vazhdoj të merrem me basketboll edhe për disa vjet. Ndoshta, pesë apo gjashtë vjet të tjerë, por ka mundësi që të vazhdoj edhe më shumë. Pas përfundimit të karrierës, do të nis një kapitull tjetër, atë të trajneres”, shprehet Përçuku.

“Kam ende shumë për t’i dhënë basketbollit dhe besoj se edhe gjatë këtyre vjetëve do të jem e suksesshme në koleksionimin e trofeve” .