Moderatorja shqiptare, Arbnora Ademaj, po vazhdon të jetë njëra nga femrat më të përfolura në shoubizin tonë. Tash e disa ditë ka qarkulluar në media lajmi se bukuroshja jonë do të bëhet pjesë e një filmi turk.
Ajo së fundmi ka qenë e ftuar në studion e “Ftesë në Pesë” me Bieta Sulon, për të folur rreth përfshirjes në kinematografinë turke.
Ish-Miss Kosova ka treguar se propozimi nga produksioni turk i erdhi në mënyrë të rastësishme, madje në fillim as vetë nuk e besonte që po i ndodhte realisht.
“Ka ndodhur një takim i rastësishëm, ju kam pëlqyer si fytyrë, e kemi menduar të jemi pjesë e disa filmave, disa projekteve që ata kanë në realizim e sipër. Ata sigurisht e kanë kërkuar një femër, e cila ka ndikim në media, edhe në rrjetet sociale, në pjesën e Ballkanit. Për mua ka qenë me thënë të drejtën e pabesueshme, kam menduar që ndoshta s’ është e vërtetë. Nuk është se e kam pretenduar apo pritur”, ka thënë Arbnora, citon Top Channel.
Bukuroshja 30 vjeçare zbuloi se në film do të ketë rolin e një vajze që ka probleme me të folurin, rol ky që do e ndihmojë tejet shumë, pasi ajo ende nuk e ka perfeksionuar gjuhën turke.
Ndër të tjerash, Ademaj tregoi se shumë shpejt do të shkojë në Turqi për bisedime të mëtejshme, pasi edhe xhirimet pritet të fillojnë nga fundi i muajit.