Telegrafi

Arbitrazhi dhe ndërmjetësimi mundësojnë zgjidhje më efikase të kontesteve afariste

Përdorimi i klauzolave të arbitrazhit hap rrugën për zgjidhjen më të shpejtë dhe më efektive të kontesteve afariste. Ky ishte mesazhi kryesor i dalë nga një tryezë e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), në Komunën e Ferizajt me bizneset që veprojnë në këtë rajon, ku u diskutua mbi përparësitë që sjell arbitrazhi dhe ndërmjetësimi si alternativë ndaj sistemit gjyqësor, dhe mbi përmirësimet në fushën e përmbarimit të kontratave përmes përmbaruesve private.

Visar Hapçiu, Menaxher për Politika dhe Marrëdhënie me Qeverinë në OEAK, tha se përkundër përmirësimeve të vazhdueshme që Kosova ka pasur në rangimin e saj në Raportin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore, ende vazhdon të ketë ngecje në indikatorin me zbatueshmërinë e kontratave. Ai theksoi se krahas përpjekjeve për të përmirësuar këtë fushë përmes hapave të ndryshëm siç janë fillimi i punës së përmbaruesve privat, edhe Oda Ekonomike Amerikane ka themeluar Qendrën për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve (QZAK), e cila ofron shërbime të ndërmjetësimit dhe arbitrazhit për komunitetin e biznesit. Hapçiu shprehu falënderimin e Odës Amerikane ndaj USAID për mbështetjen e dhënë për QZAK nën iniciativën “USAID Forward” që ka për qëllim ngritjen e mëtejme të kapaciteteve të qendrës.

Duke folur për përfitimet që bizneset kanë nga përdorimi i klauzolave të arbitrazhit në kontrata afariste, Anjezë Gojani, Sekretare e Përgjithshme e QZAK, përmendi efikasitetin e lartë të arbitrazhit krahasuar me procedurat tradicionale gjyqësore dhe profesionalizmin e arbitrave vendorë dhe ndërkombëtarë në fusha specifike si elemente tejet të rëndësishme.

Gojani theksoi se përderisa fryma e shërbimeve të ndërmjetësimit është që të inkurajohen bizneset që të gjejnë një gjuhë të përbashkët në zgjidhjen e problemeve të tyre, në anën tjetër vendimet e arbitrazhit janë përfundimtare dhe detyruese për palët. Ajo i udhëzoi bizneset e pranishme për mënyrën se si mund të përfshijnë klauzolat e ndërmjetësimit dhe arbitrazhit të QZAK në kontratat e tyre, duke i hapur kështu rrugë zgjidhjes së kontesteve përmes këtyre dy mekanizmave alternativë.

Diella Rugova-Begolli, këshilltare ligjore në Programin për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial të USAID-it, sqaroi për punën e përmbaruesve privat në Kosovë, si dhe mbi mënyrat se si bizneset mund të shfrytëzojnë shërbimet e ofruara për zbatimin e vendimeve të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit, por edhe të gjykatave. Rugova-Begolli sqaroi angazhimin e programit të USAID për krijimin e këtij shërbimi në Kosovë dhe tha se numri i përmbaruesve privatë është në rritje e sipër. Ajo gjithashtu shpjegoi për mënyrën se si iniciohet një procedurë përmbarimore dhe ndau me të pranishmit formularë standardë të kontratave të fushave të ndryshme që mund të përdoren nga kompanitë.

Në fund, bizneset patën rastin të ngrisin çështje të ndryshme nga kjo temë tek panelistët, duke përfshirë këtu diskutimet lidhur me procedurat dhe rregullat e arbitrazhit, jurisdikcionin e këtyre mekanizmave në raste specifike, dhe afatet kohore për përmbarimin e rasteve komerciale përmes përmbaruesve privat. /Telegrafi/