Skitari ynë, Arbi Pupovci, ka fituar medaljen e bronztë në garën e Federatës Ndërkombëtare të Skitarisë (FIS), të mbajtur sot në Erzurum të Turqisë.
Pupovci zuri vendin e tretë në disiplinën e sllallomit. Ai përfundoi me kohë 1 minutë 44 sekonda dhe 27 të qindtat, pas dy lëshimeve.
Pjesëmarrës në garë ishte edhe 17-vjeçari Drin Kokaj, i cili tregoi paraqitje të mirë, duke përfunduar i teti me kohë 1:50.76. Në garë morën pjesë 24 garues.
Pupovci me medaljen e bronztë fiton edhe pikët e para Olimpike për Lojërat Olimpike Pekin 2022. Ai është bursist i KOK-ut për LO ‘Pekin 2022’.
Në konkurrencën e femrave, garuesja jonë e re, Kiana Kryeziu, doli e shtata nga 12 garues. Ajo pati kohë 1:58.72 nga të dyja lëshimet.
KOK përgëzon suksesin e skitarëve tanë, duke iu uruar fat dhe suksese edhe në garat e ardhshme ndërkombëtare.