Arbëria e Dobrajës ka vazhduar me paraqitje të mira, duke marr sot fitoren e dytë në Superligë, ndaj Besës dhe atë me rezultat 3-0.
Ndeshja nuk prodhoi gola në pjesën e parë edhe pse Arbëria kishte më shumë nga loja, duke renditur disa raste.
Me të filluar pjesa e dytë, lipjanasit gjetën golin e epërsisë. Sulmuesi anësor Agon Llugiqi u gjend më së miri në zonë dhe realizon për epërsinë e Arbërisë (1-0).
Në minutën e 68-të të takimit, Agon Xhaka i Besës luan me dorë në zonë dhe gjyqtari Besfort Kosumi vendos për penallti.
Nga pika e bardhë i saktë ishte Labinot Ibrahimi që shënoi për 2-0.
Goli i fundit i ndeshjes erdhi në minutën e 86-të, kur Qlirim Kashtanjeva realizon me një goditje të bukur brenda zonës.
Arbëria pas kësaj fitoreje është lider në Superligë me 7 pikë, ndërsa Besa ende pa pikë. /Telegrafi/