Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për arbëreshët ka nisur punën si një qendër ekskluzive që në fokus ka studimin e korpusit shkencor të trashëgimisë jomateriale kulturore për arbëreshët e Italisë dhe arbneshët e Zarës së Kroacisë deri te ata të Venedikut.
Qendra nën varësi të Ministrisë së Diasporës së Shqipërisë, ka në fokus kulturën gjashtëshekullore të shqiptarëve të Italisë. Drejtoresha Diana Kastrati flet për botime që dalin për herë të parë dhe raportin e saj me arbëreshët. Ajo sqaron se në qendër të projekteve të ardhshme përfshihet kultura jomateriale e arbëresheve, duke qenë se është rast i rrallë i ruajtjes së kulturës ne gjashte shekuj.
“Përfshin lëmitë që kanë të bëjnë me etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, folklorin, antropologjinë. Nuk ka ndodhur që një komunitet i ikur para gjashtë shekujve të vijojë ruajtjen jo vetëm të gjuhës, por të gjithçkaje që përmban konstitucioni shpirtëror i asaj popullate”.
Përveç kuvendit diturak me kumtesa studiuesish për botën arbëreshe, që pritet të mbahet në datat 16-17 shtator nëse situata me pandeminë e lejon, Kastrati flet për botime që sjellin risi.
“Kemi katër botime, janë studime që vijnë për herë të parë, një prej tyre për një prej figurave më përfaqësuese të botës arbëreshe, si Papa Antonios Belushi”.
Pedagoge e përkthyese në zë, lidhja e saj me arbëreshët nis në fëmijërinë e hershme pranë të atit, akademikut e studiuesit Jup Kastrati, çka e bën detyrën e saj, jo vetëm më të ndjeshme, por edhe më sfiduese.
“Një mbiemër që nuk është meritë e imja, por që e mbaj. Sigurisht që mbiemri të bën të jesh më në fokus, dhe me prozhektorë përpara. Ndoshta unë jam rritur me mikrouniversin arbëresh falë pranisë së babait tim. Emrat e arbëreshëve, veprat e tyre, aktivitetet që mbaheshin për të, ishin pjesë e bisedave të përditshme dhe kanë qenë le të themi si një lloj aperitivi i fëmijërisë sime”.
Kultura arbëreshe në tërësinë e vet, do të rivijë nën studime të reja, për të nxjerrë në pah gjashtë shekujt e ruajtjes së identitetit. /GSh/