Site icon Telegrafi

Arbër Vllahiu, kandidati i AAK-së për Prishtinën

Arbër Vllahiu, ish-gazetar dhe ish-këshilltar i Presidentes së Kosovës, që aderoi para zgjedhjeve të fundit nacionale në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, do të jetë kandidat i kësaj partie për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e ardhshme lokale që zhvillohen në tetor.

Kandidatura e Vllahiut është zyrtarizuar nga AAK të shtunën (sot).

Arbër Vllahiu me të aderuar në AAK ishte emëruar si këshilltar i kryetarit Ramush Haradinaj.

Gazetari i kamotshëm tani do të jetë në garën për të fituar Prishtinën me AAK-në, parti kjo që s’ka arritur asnjëherë më parë ta fitojë kryeqendrën e Kosovës.

Në prezantimin e kandidaturës së Vllahiut, Ramush Haradinaj, para mediave tha se AAK-ja është subjekt modest në Prishtinë, por tejet i rëndësishëm për proceset në kryeqytet, kurse për Vllahiun shtoi se do të ishte kryetar i të gjithëve.

“Aleanca është subjekt modest ne kryeqytet me që kurrë nuk ka ushtruar presion, por u ka ndihmuar proceseve”, pohoi Haradinaj.

“Besoj që çdo qytetar i Prishtinës do ta gjente kryetarin e vet tek Arbri”, tha Haradinaj.

Vetë Vllahiu e cilësoi si ëndërr kandidimin e tij në Prishtinë, ndërsa deklaroi se tash është koha që qytetarëve e qytetit t’i kthehet dinjiteti, njofton Klan Kosova.

“Kam pak javë me Aleancën dhe ju po më jepni ëndrrën për Prishtinën. Besoj në Prishtinën që do ta bëjmë bashkë më të afërt për qytetarët”.

“Ka ardhur koha që bashkë ta ndryshojmë të ardhmen e këtij qyteti duke ia kthyer dinjitetin e nëpërkëmbur”, tha ai.

Deri më tani dihet vetëm një kundërkandidat i Vllahiut e ai është kryetari aktual, Shpend Ahmeti.

Partitë e tjera ende nuk i kanë zbuluar kandidaturat e tyre. /Klan Kosova/

Exit mobile version