Site icon Telegrafi

Arbër Tolaj, kandidat i AAK-së për kryetar të Pejës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se Arbër Tolaj do të jetë kandidat i AAK-së për kryetar të Pejës.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj bëri të ditur se Tolaj është zgjedhur kryetar i Aleancës në Pejë dhe kandidat për kryetar të Komunës së Pejës.

“Sot kisha nderin të jem bashkë me udhëheqësit e degës së Aleancës në Pejë, në një takim pune. Strukturat e Aleancës, me respektin më të madh për kryetarin e deritashëm z. Arbër Grabovci vlerësuan kontributin e tij të deritashëm, e gjithashtu respektuan edhe vendimin e tij për dorëheqje. Gjithashtu, nën udhëheqjen e u.d. të kryetarit z. Feim Ademaj, u mbajt edhe mbledhja e Këshillit Drejtues të degës, ku me votë unanime, me një unitet e dakordim të të gjitha gjeneratave të Aleancës, aktivistëve të rinj e të vjetër, Dr. Arbër Tolaj u zgjodh kryetar i Degës së Aleancës në Pejë, si dhe kandidat për kryetar të Komunës së Pejës”, thuhet në njoftimin e Haradinajt.

Ai shtoi se “Dr. Arbër Tolaj i lindur e i rritur në Pejë, me karrierë të suksesshme në sektorin e shëndetësisë, ka qenë deputet i Aleancës dhe anëtar në Kryesinë qendrore të saj. Emërimi i tij, me një unitet të paparë më herët në radhët e strukturave, të cilat u besatuan në përkrahje të parezervë ndaj tij, kthen shpresën se Peja do të ketë një udhëheqje që e meriton”. /Telegrafi/

Exit mobile version