Arbër Hoxha tashmë zyrtarisht është pjesë e Dinamo Zagrebit. Pas një periudhe të gjatë përpjekjesh, Hoxha ka nënshkruar kontratën që e sjell në radhët e gjigantit kroat të futbollit.
Gjatë prezantimit të tij, ai zbuloi se e kishte ëndërr të luante për Dinamon dhe kur dëgjoi për interesimin e klubit nuk u mendua dy herë.
Me një zë të mbushur me emocion dhe vendosmëri, Hoxha shprehu mirënjohjen e tij ndaj ish-shokëve të skuadrës dhe trajnerit nga Slaven Belupo, duke i falënderuar ata për të gjitha mësimet e marra. Ai gjithashtu theksoi se tani është koha që të tregojë vlerat e tij të vërteta si futbollist.
I vendosur të japë gjithçka dhe të tregojë përse Dinamo ka vendosur të investojë në të, Hoxha bëri të qartë se do të punojë fort për të sjellë sukses dhe për të krijuar momente të paharrueshme me klubin e ri.
“Jam shumë i lumtur që arritëm një marrëveshje me Dinamo dhe u bëra lojtar i këtij klubi të madh, më të madhit në Kroaci! U falënderoj ish-shokët e skuadrës dhe trajnerin për të gjitha përvojat, për gjithçka më kanë mësuar, por tani për mua fillon vërtetë tregimi i aftësive të mia në kuptimin e plotë të fjalës”, ka thënë fillimisht reprezentuesi i Kosovës.
“Prej kohësh ishte dëshirë e imja të luaja për Dinamo, dhe sapo dëgjova që klubit i interesonte unë, asnjëherë nuk dyshova në rrjedhën e gjithë kësaj historie, që në fund ndodhi”.
“Do të bëj më të mirën për t’i justifikuar besimin e klubit dhe për të arritur shumë suksese dhe momente të paharrueshme së bashku”, theksoi Hoxha në një deklaratë për uebfaqen e klubit
Me këtë lëvizje, Dinamo Zagreb pretendon se ka bërë një shtesë të vlefshme në skuadrën e tyre, ndërsa pret me padurim të shijojë frytet e punës së Hoxhës në fushën e blertë. /Telegrafi/