Telegrafi

Arbër Hoxha vazhdon formën fantastike me Slaven Belupo, i shënon edhe Hajduk Splitit

Sulmuesi nga Kosova, Arbër Hoxha ka shënuar sot (e shtunë) golin e radhës me klubin e tij kroat, Slaven Belupo, në Superligën e Kroacisë.

Slaven Belupo dhe Hajduk Spliti luajtën mes vete në një ndeshje shumë interesante e cila u mbyll me barazim 2-2, në kuadër të javës së 17-të.

Njëri nga shënuesit e ndeshjes ishte sulmuesi nga Kosova, Arbër Hoxha, i cili po kalon një formë fantastike këtë sezon me Slaven Belupon.

Hoxha u tregua i saktë duke shënuar me kokë në minutën e 49-të të takimit, duke ngushtuar rezultatin në 1-2.

Ky ishte goli i gjashtë këtë sezon për ish-sulmuesin e Prishtinës dhe Ballkanit, teksa ka edhe një asistim.

Ndryshe, sulmuesi anësor ka qenë reprezentues i rregullt i ekipeve të moshave të Kosovës, por nuk është ftuar nga Alain Giresse për dy miqësoret e nëntorit. /Telegrafi/