Telegrafi

Arbër Ademi: Prioriteti ynë është anëtarësimi në BE

Kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi mbajti fjalim në konferencën për dialogun ndërparlamentar për promovimin e mëtejmë të integrimeve evropiane në Ballkanin Perëndimor, të organizuar nga Këshilli i Evropës në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në konstelacione të tilla, tha ai, është veçanërisht e rëndësishme që BE-ja të mos humbasë fokusin në Ballkanin Perëndimor dhe se duhet të veprojë si një forcë kohezive rajonale dhe të mos vonojë integrimin e pjesëve të rajonit të saj gjeografik.

Në kuadër të realiteteve të reja gjeopolitike, Ademi theksoi se Maqedonia e Veriut qëndron për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan përmes përshpejtimit të proceseve euroatlantike dhe eurointegruese të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë prioritetet tona në politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Si vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe anëtar i Këshillit të Evropës, Ademi theksoi se për ne është i rëndësishëm roli i Këshillit të Evropës në procesin e integrimeve evropiane, para së gjithash, në drejtim të harmonizimit të sistemit tonë juridik dhe politik me standarde evropiane, si dhe forcimin e shtetit ligjor dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut në vendin tonë./Telegrafi/