Site icon Telegrafi

Arbëni jetoi dhe mendoi guximshëm

Është gjë e rrallë të jetosh në kohën e vlerave – sado të pakta të jenë ato – madje edhe të bashkëjetosh me personalitet të mëdha e mbikohore. Ata vijnë ashtu, lënë gjurmët, ikin pa zë, me një porosi të pashlyer në të gjitha kohërat dhe në të gjithë shekujt. Janë ata që lënë të kuptojmë vetë nga brenda gjithë procesin e historisë dhe të jetës së kombit, por edhe të brezave që vijnë.

Edhe ikja e politikanit dhe filozofit të njohur të kombit shqiptar, Arbën Xhaferi, ishte një humbje e madhe për kombin: ai ishte një nga mendimtar më të shkëlqyer e vizionar të kombit shqiptar, që me shëmbëlltyra dhe me mjaftë argumente prekte në thellësi realitetin historik, politik dhe të kohës.

Ai ka lënë gjurmë të pashlyera ne jetën politike në Maqedoni dhe ka pas një ndikim pothuajse racional dhe të fuqishëm edhe në tërë proceset e jetës politike të kombit shqiptar në përgjithësi.

Ai kishte virtyte dhe, normalisht, kur një personalitet ka virtyte ai nuk ka më frik nga përbindëshat; ai jeton guximshëm dhe shpreh mendimin e tij të thellë në tërësi, duke gjykuar ashtu me urtësi politike e intelektuale proceset e përgjithshme të shoqërisë, politikës, shtetit e kombit.

Kombi shqiptar ka pas fatin të ketë vlera të tilla në mesin e tij. Të kesh vlera kombëtare është gjë e shenjtë. Në kohën antike njerëzit e ditur, populli (demos), i konsideronte të shenjët, ose superior, që lënë porosi që japin këshilla që janë rojtar, pra që rrinë zgjuar te dera e hyrjes e kombit për penguar përbindëshit dhe ideologjizmat që të helmojnë. Pra, pra janë rojtar të kohës, të vërtetës dhe historisë së kombit.

Arbëni jetoi jo vetëm si një politikanë e filozof në mesin tonë, por edhe si një njeri i urtë, si një gurë i çmuar ndërtues i kombit shqiptar evropian, pa njollat ideologjike sulltaniste e sllave.

Ai u bë kështu vlerë e shtuar e tërë kolonës së dijetarëve të kombit shqiptar evropian, por edhe një vlerë ndërkombëtare e politikës paqësore dhe pragmatizmit e vizionit që rrallë në mentalitetin ballkanas ka pas mendje të freskëta siç ishte ai: mendje këto që i dhanë kësaj pjese kohën e tyre, por edhe ia hapën derën transformimeve në përgjithësi dhe frymës së demokracisë si burim që vjen nga brenda shoqërisë.

Njerëzit që kanë praktikuar lirinë, por edhe referuar atë çdo ditë, janë njerëz që kanë qenë të lumtur dhe kanë jetuar vërtetë, sepse pikërisht kanë qenë të frymëzuar nga jeta gjalluese, praktike, jeta që veshë shoqërinë me të mirat dhe të bukurat e saj. Pra, kanë qenë njerëz që kanë parë nga drita e urtësisë së tyre gjërat dhe kanë ligjëruar atë si të tillë origjinale në syrin e kombit dhe proceseve të tij vitale drejtë të ardhmes.

Kam pas rastin të bashkëbisedoj me të. Ishte njeri tepër miqësor dhe me kulturë të lartë në vetvete.

Ai ishte njëri i sakrificës si të proceseve dhe të sfidave në jetën politike e intelektuale, por edhe ajo që rëndonte dhe e pengonte ishte sëmundja e parkinsonit që nuk e la të vijojë në plotëninë e tij veprimtarinë e gjallë dhe shpërndarjen e mendimeve si dhurata të pjesës së ndritur të talentit të tij. por, ajo që kam vërejtur tek ai ishte tepër domethënëse: ishte njeri i fuqishëm. Madje, edhe vuajtja e tij kishte heroizmin në esencën e jetës së tij. Ai është shëmbëlltyra e filozofisë shqiptare dhe mendja më frytënuese e shekullit në të cilin jetoi.

Exit mobile version