Site icon Telegrafi

Arben Krasniqi pritet të jetë trajner i Kosovës

Në fakt, Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK), pas mbledhjes së Bordit të saj, të martën ka njoftuar se po mendon ta ristrukturojë Përfaqësuesen A të Kosovës, ndërkohë që publikimi i përbërjes së shtabit teknik do të bëhet më 22 janar 2016, kurse selektori i Përfaqësueses A do ta fillojë zyrtarisht punën më 1 shkurt të vitit të ardhshëm.

Siç mëson “Zëri”, selektor i Përfaqësueses pritet të jetë Arben Krasniqi, i cili edhe më herët e ka kryer të njëjtin funksion. Lajmin e ka konfirmuar edhe sekretari i FBK-së, Leart Hoxha, i cili thotë se janë në përfundim të bisedimeve me ish-trajnerin e Prishtinës.

“Jemi ende në negociata me trajnerin Krasniqi. Besoj që do të arrijmë marrëveshje shumë shpejt edhe pse asgjë nuk ka përfundimtare deri më tani”, u shpreh Hoxha.

Trajneri më i trofeshëm kosovar në basketboll, Krasniqi, i cili pas aventurës në Arabinë Saudite me ekipin e Al-Hilalit është kthyer në Kosovë, momentalisht është pa ekip, por shumë shpejt pritet ta nisë punën me skuadrën e Kosovës.

Kosova do të jetë pjesëmarrëse në kualifikimet për “Eurobasket 2017”. Shorti për grupet kualifikuese për “Eurobasket 2017” do të hidhet më 22 janar të vitit të ardhshëm në Munich, të Gjermanisë.
 

Exit mobile version