Arben Gashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar rinumërim e të gjitha votave.
Ai këtë kërkesë e bëri duke thënë se procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar.
“Siç po duket, procesi i numërimit në Qendrat e Numërimit Komunal ka dështuar. Ky dështim ka dëmtuar gjithashtu rëndë besimin në vërtetësinë e rezultatit zgjedhor. Për hir të ruajtjes së besimit në procesin demokratik, KQZ duhet të vendosë për rinumërimin e të gjitha votave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve në Prishtinë”, ka shkruar Gashi në një postim në Facebook.
Ai tutje ka thënë se një fenomen tjetër i vërejtur në këto zgjedhje është manipulimi masiv me votën e diasporës.
“Këto vota, siç po shihet, janë manipuluar sidomos brenda partive politike. Demokracia, ndër të tjera, është edhe besim në institucionet e zgjedhura. Vendi ka nevojë për institucione përfaqësuese dhe të besueshme”, ka shkruar Gashi.
Kujtojmë se sot janë bërë plot një muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe ende nuk kemi certifikim të rezultateve.
Ndonëse procesi i numërimit mbaroi të mërkurën, në PZAP ka pasur disa ankesa, të cilat e shtyjnë shpalljen e rezultateve përfundimtare. /Telegrafi/