Telegrafi

Arben Gashi flet për gjasat e kandidatëve të përfolur për president

Preferencat e Arben Gashit ndaj kandidatëve të përfolur për president

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka komentuar gjasat e disa kandidatëve të përfolur për t’u bërë president.

Gashi në RTV Dukagjini ka thënë se nga kandidatët e përfolur më së paku gjasa ka Rexhep Qosja.

“Pas Rexhep Qosjes, me më së paku gjasa vjen Veton Surroi, edhe zoti Daci ka pak gjasa për t’u bërë president”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se më së shumti gjasa nga kandidatët e përmendur ka Isa Mustafa, derisa Murat Jashari, Ramush Haradinaj, Vlora Çitaku, Hajredin Huçi, Enver Hoxhaj kanë gjasa të njëjta për president.

“Është vlerësim i imi për Isa Mustafën dhe mund të jem subjektiv”.

I pyetur për kandidaturën e Ramush Haradinajt, Gashi nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe ai të ketë vota nga LDK.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës megjithatë ka thënë se LDK ka vija të kuqe për personat që mund të kenë probleme me drejtësinë.

“Ramush Haradinaj ka deklaruar se nuk ka më punë me Specialen”, ka thënë Gashi.

Ai ka shtuar se Kosova nuk e ka luksin që edhe presidenti tjetër të shkojë në Speciale./Telegrafi/