Telegrafi

Arben Frroku i implikuar në vrasjen e komisarit Lamaj

Lajmi konfirmohet për News 24 nga burime të prokurorisë, sipas të cilave bëhet me dije se janë gjetur prova shkencore që implikojnë biznesmenin Frroku në vrasjen e Lamajt.

“Dyshojmë për gjurmë gishtash dhe fije floku”, bëjnë me dije burimet e Prokurorisë.

Sipas tyre dyshohet se prova është gjetur në makinën e vrasësve, çka tregon se Arben Frroku ka qenë në këtë makinë dhe i ka njohur këta persona. Dyshohet se prova mund të jetë një fije floku ose shenja gishtash.

Po sipas të njëjtave burime, pritet që provat t’i nënshtrohen analizave shkencore.

Frroku, i cili është arrestuar në Selanik të Greqisë, me akuzën e vrasjes së kryekomisarit, pritet të paraqitet para Gjykatës së Lartë në Athinë, më 30 maj.

Më 4 prill u zhvillua në Gjykatën e Selanikut seanca gjyqësore, që vendosi ekstradimin e tij në Shqipëri, vendim ky që u apelua nga pala mbrojtëse dhe çështja u dërgua për shqyrtim në gjykatën e Lartë në Athinë. /Telegrafi/