Gjykata e Amstërdamit ka pranuar kërkesën e drejtësisë shqiptare për të ekstraduar Arben Frrokun, i dënuar nga Gjykata e Apelit me burgim të përjetshëm për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.
Tashmë, brenda dy javëve fati i Arben Frrokut varet tek e drejta e tij për ta apeluar këtë verdikt, që nëse lihet në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit në këtë vend, atëherë do të jetë ministri holandez i Drejtësisë ai që do të firmosë i fundit ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Ndërsa 46-vjeçari Frroku këmbënguli para drejtësisë holandeze se në Shqipëri i rrezikohej jeta për shkak të gjakmarrjes, sipas vendimit të dhënë nga Gjykata e Amstërdamit, burgjet në Shqipëri janë të sigurta por nuk i takon asaj të analizojë rrezikshmërinë në to, pasi ky vlerësim jepet nga ministri holandez për Siguri dhe Drejtësi, si zyrtari që hedh firmën për ekstradim.
Kjo gjykatë thotë se kërkesa e parë e ekstradimit të Frrokut mbërriti në zyrat e Ministrisë holandeze për Siguri e Drejtësi më datë 4 maj 2016, në një kohë kur tre muaj më pas rezulton të ketë mbërritur edhe dosja e plotë, në të cilën është bashkangjitur edhe vendimi i formës së prerë që e shpalli fajtor Frrokun për vrasjen e kryekomisarit Lamaj.
Gjyakta e Amstërdamit shprehet se, ndonëse avokatët pretendojnë se nuk ka prova kundër Frrokut dhe se gjyqi është i ndikuar politikisht, mbrojtja nuk e ka bindur me prova gjyjkatën në mënyrë që të vërtetonin këtë qëndrim.
Arben Frroku iu nënshtrua gjykimit në Shqipëri për vrasjen e ish-shefit të komisariatit të zonës së Kombinatit, por Shkalla e Pare e shpalli atë të pafajshëm.
Në këtë mënyrë, ai u kthye i lirë duke lënë ambjentet e paraburgimit 302, në një kohë që vendimi me burg të përjetshëm i shpallur nga Apeli për Krimet e Rënda e gjeti në arrati.
Frroku u arrestua në prill të këtij viti, pas një kontrolli rutinë nga policia holandeze e cila e arrestoi fillimisht të pajisur me identitetin e rremë Renato Tsepa./tch/