Site icon Telegrafi

Arben Bajraktaraj: Sikur njerëzit të donin njëri-tjetrin, siç pretendojnë se duan Zotin!

Filmi “Streha mes reve” prezantohet në kinemanë shqiptare. Regjisori Robert Budina rrëfen në këtë film se si shqiptarët i ka karakterizuar përherë bashkëjetesa fetare mes tyre. Ngjarjet ndodhin në veri të Shqipërisë, aty ku banorët përdorin të njëjtin objekt si kishë e xhami.

Në film luan aktori me famë ndërkombëtare, Arben Bajraktaraj. “Streha mes reve” e rikthehu në tokën amë. Për të filmi nuk ka nacionalitet e as shtetësi.

“Filmi është film, ka ligjet e veta që i bën vet filmi, pra na imponon”, shprehet Bajraktaraj.

Vështirësia më e madhe gjatë realizimit të këtij filmi, siç aktori rrëfen, ka qenë të hyjë në petkat e Besnikut.

“Ai qëndronte përpjekjeve për harmoni fetare, për të bashkuar familjen, mandej aspekti i një dashuri në vetmi, në humbje. Me rrjedhën e ngjarjeve ngadalë gjemë veten”.

Gjatë xhirimeve ai tregon se ka qenë mes dy gjendjeve: i shqetësuar dhe i lumtur. Kjo për shkak të trazimit që vetë personazhi mbante.

“Nuk ishte thjesht trazim i vuajtjes, por një trazim i pashpjegueshëm, në një sferë i pakapshëm i personazhit, që ndoshta e sjell vetë Valbona”.

Gjatë premierës ai shfaqet i familjarizuar me stafin dhe të pranishmit, dhe koha ecën në një atmosferë festive mes bisedave të ngrohta dhe natyrisht edhe “selfive”.

“Unë jam shumë i lumtur për këtë punë të përbashkët që kemi bërë bashkë me Budinën dhe me ekipin e mahnitshëm që kemi pasur”, shprehet aktori.

Mesazhin e filmit e konsideron si jotradicional, pasi sipas tij esencialja qëndron në perceptimin e publikut, ku secili merr të vetën.

“Ngjarja rrjedh si përroi që dalëngadalë bëhet gjithnjë e më i rrëmbyeshëm. Shpresoj që publiku shqiptar ta shijojë sa më shumë”.

Bajraktaraj në rolin e Besnikun, interpreton një personazh që ndërsa bën përpjekje për të mbajtur familjen të paktën në një strehë kupton se pavarësisht petkut të besimit (i vëllai ortodoks, e motra myslimane) ndërgjegjësohet se interesi do të mbizotërojë edhe ndaj mësimeve të fesë për të dashur e ndihmuar njëri-tjetrin, familjen së pari.

“Sikur njerëzit të donin njëri-tjetrin ashtu siç pretendojnë se duan Zotin”, është një frazë e shqiptuar nga Besniku në një nga momentet më të rëndësishme të filmit. Në këtë fazë ai kupton se fshati në një farë mënyre po pranon diçka gati të pamundur, pasi nuk ka një vend tjetër ku në një tempull, dy komunitete fetare mund të luten bashkë. Është një moment shumë i fortë, por ai e percepton atë që ndodh jashtë duke e paralelizuar me situatën në familjen e tij. Pra, nuk ka një bashkim real, përkundrazi ka një ndarje të thellë, të cilën ai, përpos përpjekjeve nuk do të mundet ta rregullojë.

Bajraktarajn atmosfera e këtij filmi mes bjeshkëve i ngjall njëkohësisht nostalgji për fëmijërinë e tij.

“Unë asokohe gjatë verës ruaja lopët. Por, sigurisht që ka kaluar një kohë e gjatë ndaj mu desh që për filmin të bëja parapërgatitje. Për këtë më ka ndihmuar Besniku, një bari që jeton në Valbonë. Më kanë ndihmuar shumë njerëz edhe në Bajram Curri gjithashtu edhe përsa i përket lutjeve”.

Aktori tregon se koha e kaluar për xhirime në mal i ka krijuar përpos nostalgjisë edhe një lloj trazimi shpirtëror, sepse jeta atje nuk është e thjeshtë.

“Por nuk mund të mohohet se është edhe shumë e bukur. Unë i dua bjeshkët dhe do të kthehem atje, jo vetëm për krijimtari, por edhe me fëmijët e mi për pushime”.

Bajraktaraj shpreson që ë atë ajo zonë të përzgjidhet edhe nga të tjerë regjisorë për të realizuar filma në atë hapësirë.

“Kjo, sepse atje ka male të mrekullueshme, histori të jashtëzakonshme, por edhe, sepse bëhet një burim të ardhurash për njerëzit e asaj zone”. /Shekulli/

Exit mobile version