Në Shqipëri sot (e shtunë) arriti aeroplani i tretë me refugjatët afganë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nëna Terezë” në Rinas, me gjithsej 59 pasagjerë.
Në total deri më tash raportohet se në shtetin amë kanë ardhur gjithsej 275 qytetarë nga Afganistani.
Të gjithë ata janë strehuar në vende të sigurta, gjersa mikpritjen ua kanë uruar shumë krerë politikë dhe ambasadorë nga shtetet e huaja.
Edhe figurat publike kanë shprehur mbështetjen për refugjatët afganë, duke iu uruar mirëseardhje.
Njëra ndër to është prezantuesja e njohur shqiptare, Arbana Osmani, e cila publikoi një fotografi të disa afganëve të strehuar në Shqipëri, duke shkruar në mbishkrimin e saj se do i pëlqente të takonte nga afër secilin prej tyre.
“Do doja shumë t’i përqafoja të gjithë këta njerëz. Mirë se vini”, ka shkruar Osmani në InstaStory.
Arbana përndryshe ka konfirmuar javë më parë se po përgatitet për spektaklin e ri “Big Brother Albania VIP”, i cili pritet të nisë në muajin tetor të këtij viti. /Telegrafi/