Arba Lluka është një juriste e diplomuar, e cila përpos profesionit të cilin e ushtron është edhe një piktore e shkëlqyer.
Ajo është rritur në frymë arti, kështu nuk kishte se si t’i ikte kësaj fushe, duke zgjedhur kështu mesin e artë në mes profesionit dhe pasionit.
Një gjë të tillë e ka theksuar për Koha.net, teksa ka treguar më shumë rreth pasionit të cilin ajo e shpreh përmes lapsit dhe ngjyrave në letër.
Gryka e Rugovës u bë inspirim i përhershëm i saj, që nga ditët e para e deri më sot. Dhe për t’i kthyer sërish qetësinë që ia fali dikur, ajo synon që përmes artit të saj t’i kontribuojë qytetit.
Kështu ka filluar me trafon elektrike përballë shtëpisë së saj, duke e shndërruar atë në trafo ekologjike të Pejës.