Arabia Saudite ka regjistruar rastin e parë të konfirmuar të Gjirit me variantin Omicron të coronavirusit në një qytetar që kthehej nga Afrika e Veriut, tha të mërkurën një zyrtar i ministrisë së shëndetësisë.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, lloji, i cili u njoftua për herë të parë nga Afrika e Jugut, por që atëherë u zbulua se ishte i pranishëm më herët në Evropë, ka nxitur qeveritë në mbarë globin të rivendosin kufizimet e udhëtimit, pavarësisht paralajmërimeve nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa mirë.
“Një rast i variantit Omicron është zbuluar në mbretëri – ishte një shtetas që vinte nga një vend i Afrikës së Veriut”, tha zyrtari i ministrisë për agjencinë shtetërore të lajmeve SPA.
Ai është vënë në izolim, si dhe kontaktet e tij dhe janë marrë masat e nevojshme shëndetësore.
Arabia Saudite javën e kaluar ndaloi fluturimet nga shtatë vende të Afrikës Jugore, duke pasqyruar lëvizje të ngjashme nga qeveritë e tjera, por lidhjet e udhëtimit me Afrikën e Veriut kanë mbetur të paprekura.
Mbretëria kishte hequr disa nga kufizimet e mbetura që vendosi në fillim të pandemisë, duke lejuar adhuruesit në vendet e shenjta myslimane të rifillonin lutjet krah për krah nga tetori.
Ndryshe, që nga fillimi i pandemisë, Arabia Saudite ka regjistruar 549,000 raste të Covid-19, 8,836 prej tyre fatale.
Në anën tjetër, më shumë se 47 milionë doza të vaksinës kundër Covid-19 janë administruar në mbretërinë, e cila ka një popullsi prej afro 35 milionë banorësh. /Telegrafi/