Site icon Telegrafi

Arabia Saudite paralajmëroi policinë gjermane për një sulm të mundshëm ‘terrorist’?

Policia gjermane ishte paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se një mjek saudit, i cili dyshohet se përplasi një veturë në turmat në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg, përbënte një kërcënim terrorist.

Bëhet e ditur se qeveria e Arabisë Saudite i dërgoi katër paralajmërime autoriteteve gjermane mbi pikëpamjet ekstreme të Taleb al Abdulmohsen, një ish-musliman i cili postoi planet e tij për të bërë “diçka të madhe” në rrjete sociale.

Të premten mbrëma, ai vrau të paktën pesë persona dhe plagosi më shumë se 200 duke vozitur BMW-në e tij me shpejtësi të plotë në një rrugicë të ngushtë në treg.

Një fëmijë nëntë vjeçar ishte në mesin e të vrarëve, njoftoi policia në një konferencë për shtyp të shtunën.

I dyshuari u identifikua si Taleb al Abdulmohsen, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.

Raportohet se Abdulmohsen u largua nga Arabia Saudite për në Gjermani në vitin 2006. Atij iu dha azil pasi kishte frikë nga persekutimi për shkak të refuzimit të islamit.

Autoritetet gjermane thanë të shtunën se një motiv i mundshëm për sulmin ishte besimi i tij se Berlini po keqtrajtonte refugjatët sauditë.

Në dhjetor 2023, policia gjermane mori një ankesë të veçantë pasi Abdulmohsen kërcënoi në rrjete sociale se do ta detyronte Gjermaninë “të paguante një çmim” për persekutimin e supozuar të refugjatëve sauditë.

Policia lokale dhe federale hetuan, por arritën në përfundimin se ai nuk përbënte “asnjë rrezik specifik”, raportoi gazeta gjermane Die Welt, duke cituar burime sigurie.

Ndryshe, Arabia Saudite tha në një deklaratë se dënon sulmin dhe shpreh “solidaritetin e saj me popullin gjerman dhe familjet e viktimave. /Telegrafi/

Exit mobile version