Arabia Saudite nuk mori pjesë në përgjimin e dronëve dhe raketave iraniane të lëshuara të shtunën vonë për në Izrael.
Kështu kanë thënë burime të informuara për Al Arabiya të hënën, përcjell Telegrafi.
Ky sqarim vjen pas deklaratave që i atribuohen një faqeje zyrtare saudite nga mediat izraelite, që sugjerojnë përfshirjen e Arabisë Saudite në “kapjen” e predhave iraniane që synonin Izraelin.
“Nuk ka asnjë faqe zyrtare në internet që ka publikuar një deklaratë në lidhje me pjesëmarrjen saudite në përgjimin e sulmeve kundër Izraelit”, kanë thënë burimet.
Gjatë fundjavës, Irani lëshoi qindra dronë dhe raketa, duke përfshirë edhe nga territori i tij, duke synuar Izraelin si hakmarrje për një sulm vdekjeprurës në konsullatën e Iranit në Damask më 1 prill.
Ushtria izraelite tha se ka “kapur” 99 për qind të kërcënimeve ajrore, të ndihmuara nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë.
Ajo theksoi se sulmi gjatë natës shkaktoi vetëm dëme të vogla.
Pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit, Arabia Saudite u bëri thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë “nivelet maksimale” të përmbajtjes dhe të kursejnë rajonin dhe popullin e tij nga rreziqet e luftërave. /Telegrafi/