Telegrafi

Arabia Saudite hap regjistrimin për ata që duan të ofrojnë shërbime për pelegrinët, gjatë sezonit të ardhshëm vjetor të Haxhit

Arabia Saudite ka filluar të pranojë aplikacione nga kompanitë e interesuara për të marrë licenca për t’u shërbyer pelegrinëve myslimanë – që vijnë nga jashtë shtetit – gjatë sezonit të ardhshëm vjetor të Haxhit.

Regjistrimi do të zgjasë deri më 5 dhjetor dhe aplikimet pranohen përmes portalit të Ministrisë Saudite të Haxhit dhe Umres, shtoi nënsekretari i ministrisë për çështjet e Haxhit, Ayed Algwinm, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“… Një rritje e numrit të kompanive të specializuara në këtë fushë do të ndihmojë në përmbushjen e këtyre objektivave dhe në përmbushjen e nevojave dhe aspiratave të pelegrinëve që vijnë nga kudo”, ka shtuar Algwinm.

Dhe siç bëhet e ditur më tej, shërbimet e ofruara nga firmat e licencuara përfshijnë akomodimin dhe transportin.

Ndryshe, rreth 2 milionë pelegrinë nga e gjithë bota në qershorin e kaluar kryen Haxhin në Arabinë Saudite, duke shënuar kthimin e numrit të tyre në nivelet para pandemisë.

Ndërkohë Arabia Saudite ka vendosur tashmë rregullat për sezonin e ardhshëm të Haxhit dhe ka theksuar përgatitjet e hershme.

Ndërsa sa i përket lëshimit të vizave të Haxhit, është bërë e ditur se kjo do të fillojë më 1 mars dhe do të përfundojë më 20 Sheval, muaji i 10-të i kalendarit islamik që korrespondon me 29 prillin.

Shkuarja e pelegrinëve të haxhit në Arabinë Saudite do të fillojë në ditën e parë të Dhul Kaidës, muajit të 11-të islam, që korrespondon me 9 maj. /Telegrafi/